Përkujtohet i madhi Faruk Begolli
Aktori i madh i Kosovës, Faruk Beogolli, është përkujtuar sot në katër vjetorin e vdekjes.
“Profesor Faruk Begolli i ka dhënë vendit gjenerata me radhë të cilat sot e mbajnë gjallë teatrin dhe filmin në Kosovë”, tha Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi.
Në prani të shumë artistëve dhe familjarëve të aktorit Begolli, Ministri tha po ashtu se kontributi që ka dhënë profesori Faruk Begolli duhet të shërbejë për të gjithë si një shembull se si të punohet edhe më shumë për zhvillimin e kulturës në përgjithësi.
Ai shtoi se shteti dhe shoqëria do ta ketë në mendje gjithmonë profesorin Begolli dhe të gjithë ata që kanë kontribuar për zhvillimin e tetarit dhe filmit.
“Edhe një herë e rikonfirmoj se ne do të bëjmë çmos që t’ua japim respektin meritor njerëzve të artit që kanë kontribuar me dekada për të arritur këtu ku jemi sot dhe shpresoj se kontributet e tyre do të shërbejnë si shembuj për të gjithë ne për të bërë më shumë për artin, dhe besoj që me bashkëpunimin që e kemi do të bëjmë punë të mira dhe në këtë mënyrë ta shpërblejmë punën e njerëzve të mëdhenj siç ishte Faruk Begolli”, deklaroi Krasniqi.
Nga ana tjetër, Drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Burbuqe Berisha, tha se përkujtimi që po i bëhet sot profesorit Faruk Begolli është bërë në mënyrë simbolike, por shtoi se ai gjithmonë do të jetë në mendje të artistëve dhe shoqërisë.
“E veçanta do të thosha e kujtimit që po i bëjmë kësaj here është se kur e kemi kujtuar aktorin Bekim Fehmiu, ministri në dalje më ka thënë ‘ju lutem mos e harroni Faruk Begollin sepse ai ka dhënë shumë’. Dhe kjo sot besoj që tregon se e kemi mbajtë fjalën”, tha Berisha.
Familjarët e profesorit dhe aktorit Faruk Begolli kanë falënderuar Ministrin Krasniqi dhe gjithë artistët për respektin e treguar në vazhdimësi.
Për të kujtuar jetën dhe veprën e profesorit Faruk Begolli sot tek varri i tij zv.ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajdin Abazi, dhe një grup aktorësh kanë vënë kurora lulesh.
Faruk Begolli u lind në Pejë më 25 janar 1944. Studimet për aktrim i kreu në Fakultetin e Dramës në Beograd. Ai ka luajtur në mbi 70 filma. Gati dhjetë vjet ka qenë drejtor i teatrit “Dodona” në Prishtinë, ku ka bërë regjinë e mbi 20 shfaqjeve teatrore. Është themelues i Drejtimit të Aktrimit në kuadër të Degës së Arteve Dramatike në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.