E Shtunë, 31 Tetor 2026

Francis Coppola dhe Claudia Cardinale në Festivalin e Filmit në Durrës

23/08/2011  Francis Ford Coppola, aktorja Claudia Cardinale, apo regjisori i shquar çek Jiri Menzel, regjisori dhe filozofi polak Kryzystof Zanussi, Lech Majewki, producenti britanik Nick Powell apo producenti dhe regjisori Jan Harlan, aktori Rade Serbedzija janë disa nga emrat pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Durrës që do të zhvillohet nga 27 gushti deri më 2 shtator.

Festivali shënon këtë vit edicionin e tij të katërt dhe cilësohet nga organizatorët si viti më i mirë i tij me të ftuar të rëndësishëm, filma premierë dhe një sërë evenimentesh speciale. President Nderi i edicionit të 4-t të festivalit është regjisori Dhimitër Anagnosti, ndërkohë që si kryetar i Jurisë Ndërkombëtare mund të përmendet producenti britanik Nick Powell.

Aktori shqiptar Vangjush Furrxhi do të nderohet me Çmimin e Karrierës në mungesë.

“Ky është viti më i mirë i festivalit”,- thotë Anila Varfi, drejtoresha artistike e IFS Durrës, “sepse besojmë se kemi arritur një nivel që e aspirojmë prej kohësh, të ftuarit e shquar, programet e filmave në konkurrim dhe jashtë konkurrimit, që e bëjnë këtë edicion një festë të vërtetë kinematografike, por njëherazi pasqyron edhe nevojat e një festivali modern”. Sipas saj, bukuria e Durrësit të vjetër qëndron në aftësinë për të asimiluar të rejat e kohës sonë dhe simbol i kësaj është shfaqja e filmit “Tetro” nga Francis Ford Coppola në Amfiteatrin Romak. “Në çdo festival ka filma që është e pamundur t’u thuash jo, edhe nëse ata nuk hyjnë në kategoritë e paracaktuara. Në Durrës Film Festival, këto tituj nuk duhen humbur!”.

Festivali do të hapet me filmin e suksesshëm turk, “Honey” (Mjalti) të Semih Kalanouglu, fitues i Ariut të Artë në Fesivalin e Berlinit 2010, i cili do të shfaqet në qiell të hapur në Amfiteatrin Romak. Kjo shfaqje verore do të ndiqet nga mbi 800 shikues. Ndërsa një tjetër event i mrekullueshëm që do t’i takojë Ceremonisë së Mbylljes së Festivalit do të jetë dhe Filmi Mbyllës i edicionit të 4-t të Durrës Film Festival.

Federico Fellini me filmin e tij “8 1/2” (Otto e Mezo) do të jetë Filmi Mbyllës. Aktorja e mrekullueshme Claudia Cardinale, do ta prezantojë filmin për publikun, duke e kthyer kështu shfaqjen e këtij filmi në një tjetër event të këtij edicioni. “Ky vit ka risinë e madhe që për herë të parë territori shqiptar do të mbulohet legalisht nga FIPRESCI (Federata Internacionale për kritikën Kinematografike), duke bërë kështu të mundur vizibilitetin e këtij eventi kinematografik edhe jashtë kufijve nacionalë.

“Durrës Film Festival” këtë vit vjen me: 19 premiera absolute shqiptare, gjashtë premiera ballkanike, një premierë absolute evropiane, dy premiera absolute internacionale.

Ky vit kthen dy seksionet konkurruese kryesore: Vizione Bashkëkohore dhe Bota Ballkanike, ndërkohë që festivali i ka hapur derën edhe Turqisë dhe SHBA-së që vijnë me shfaqje speciale si të ftuar nderi të këtij edicioni.

Në bashkëpunim me Marubin, Akademinë e Arteve të Bukura dhe Akademitë e Kosovës e Maqedonisë, Festivali do të organizojë sërish seksionin konkurrues për Filmin e Shkurtër të Studentëve Shqiptarë. “Për të dytin vit radhazi do të përqendrohemi në Programin e Dokumentarit Internacional për problemet mjedisore të botës. Festivali i Filmit në Durrës synon një audiencë të re”, thotë Anila Varfi. “Jemi në këtë rrugë sepse shumë të rinj nga universitetet, shkollat e filmit në Shqipëri vijnë për të marrë pjesë në Kampusin e Festivalit dhe për tu njohur nga afër me kinemanë shqiptare dhe botërore përmes leksioneve të kinemasë dhe takimeve me aktorë dhe regjisorë të famshëm”.

Grande Cinema në Amfiteatrin Romak

Amfiteatri Romak është një arenë e hapur, ndër më të vjetrat në Evropë. Gjatë festivalit, një ekran gjigant do të ngrihet mbi skenë, për një audiencë deri në 5000 shikues gjatë ditëve të festivalit.

Kinemaja turke dhe amerikane, të ftuarat e nderit

Festivali vazhdimisht promovon kinematografinë e vendeve të ndryshme dhe që nga viti 2009, ne kemi sjellë kinemanë italiane, franceze dhe këtë vit atë Turke dhe USA- “Kinemaja Coppola”. Kritikja kinematografike turke, Alin Tascihan, ka bërë një përzgjedhje të kuruar të 7 filmave turq që do t’ia prezantojmë publikut “International Film Summerfest Durrës”. Në seksionin “Closed Encounters” (Takimet e Ngushta) do të shfaqen produksionet turke: “Kripa e jetës” / The salt of life” nga Murat Duzgunoglu, një prodhim I vitit 2008; “Adami dhe djalli” (Adam and the devil) nga Baris Pirhasan, 2007; “Pikë” / “Dot” nga Dervis Zaim; “Vjeshtë”/ “Autumn” nga Ozcan Alper, “Kutia e Pandorës”/ “Pandora box” nga Yesim Ustaoglu, prodhim turk, francez, belg e gjerman I vitit 2009; “Qentë e zi që lehin” / “Black dogs barking” nga Mehmet Bahadir Er, 2009.

Filmat amerikanë do të shfaqen në seksionin “Tribut- Coppola”, SHBA. Në këtë seksion do të ketë në program për shfaqjen “Tribut – Coppola”dy nga titujt më të fundit të regjisorit legjendar: “Tetro” një prodhim mes SHBA-së, Argjentinës dhe Spanjës i vitit 2009 dhe “Rini pa rini” prodhim amerikano-rumuno-francez i vitit 2007. Francis Ford Coppola do të mbajë një seancë Pyetje –Përgjigje në teatrin “Aleksandër Moisiu” më datë 31 gusht. Shfaqjet e filmave të tij do të jenë të programuar më datë 1 shtator.

Dokumentari ndërkombëtar

Në këtë seksion do të ndalet në problemet e ambientit në mbarë globin. Titujt e përzgjedhur në këtë seksion janë të mirë menduar. Filmat në seksionin e Dokumentarit të Gjatë janë: “Një e vërtetë e papërshtatshme” nga Davis Guggenheim, SHBA, 2006, 100’; “Planet plastik” nga Werner Boote, Austri, 2009, 96’; “Receta për katastrofa” nga John Webster, Finlandë, 2008, 85’. Gjatë ditëve të festivalit do të mbahen edhe master class-leksione kinemaje. Këto orë mësimore tani mund të thuhet se janë traditë për festivalin dhe do të zhvillohen çdo ditë në teatrin "Aleksandër Moisiu" dhe në “Sallën e Rinisë” me audiencë të interesuar që përbëhet nga studentë, gazetarë dhe publik të gjerë. Këtë vit do të prezantohen Leksione Kinemaje- Shfaqje Speciale: “Inteligjencë artificiale” nga Steven Spielberg, SHBA 2001, 146’; “Barry Lyndon” nga Stanly Kubrick, SHBA, 1975, 184’. Leksionet mbi këta dy filma do të mbahen nga regjisori dhe producenti Jan Harlan, edhe producent i filmit “Inteligjencë Artificiale” i Spielberg.

Kampusi Durrës

Organizuar nga Elkiana Gjipali, në vitin e parë të aktivitetit me pjesëmarrjen e studentëve të filmit dhe komunikimit. Ata do të vijnë në Durrës për të marrë pjesë në takime me talente premtuese të kinematografisë shqiptare dhe me personalitete të famshëm që do të flasin për përvojat e tyre në seanca në formë bashkëbisedimi. Kampus 2011: Jan Harlan; Claudia Cardinale, Kryzustof Zanussi, Lech Majewski.

Filmi i shkurtër i studentëve shqiptarë

Për të dytin vit radhazi, festivali organizon seksionin e rëndësishëm konkurrues për filmin e shkurtër të studentëve shqiptarë për regjisorë. Filmi fitues do të shfaqet në ekranin e një prej televizioneve private kombëtare shqiptare. Juria e Filmit të Shkurtër te Studentëve Shqiptarë përbëhet nga: Kristaq Mitro, Regjisor, Shqipëri; Zamir Kokonozi, Drejtor Fotografie, Shqipëri. Filmat do të shfaqen në kinemanë e Rinisë. Filmat finalistë janë: “Gjethja e fundit” nga Aldi Karaj, “Ai dhe ajo” nga Eldi Qesku, “Arena” nga Jozefina Luci, “Vrima përballë” nga Emiljo Leka, “Lajmi” nga Fatjon Xhika, “Pa dalje” nga Arlinda Morina, “Lufta” nga Fatjon Bajraktari, “Lulude” nga More Raca.

Jashtë konkurrimit

Në seksionin jashtë konkurrimit do të shfaqen filmat: “Në pyll” / “In the woods” nga Vilma Zenelaj, SHBA, 2010, 85’; “Shkëputje nga realiteti” nga Andi Deliana, Shqipëri, 2011, 95’. Do të shfaqet edhe “Homerët e filmit ballkanik” nga Petrit Ruka, 2011, 32’. Festivali do të jetë prezent me programin e tij edhe në Tiranë në Kinemanë e Arkivit Shqiptar të Filmit.

Çmimi i Argjendtë i Durrësit për Cardinale-n

Aktorja e shquar Claudia Cardinale, e cila do të jetë e pranishme në Festivalin e Filmit, Durrës, do të marrë Çmimin e Argjendtë të Durrësit në një ceremoni speciale në teatrin “Aleksandër Moisiu”. Festivali ka privilegjin të nderojë një nga personalitetet më krijuese në fushën e aktrimit. Motivimi për çmimin që do t’i dorëzohet nga kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, është si vijon: “Çmimi i Argjendtë i jepet Claudia Cardinales, figurës ikonë të aktrimit italian”.

Çmimi i Karrierës

Çmimet e Karrierës për këtë vit do të jepen në skenën e Amfiteatrit Romak përmes një ceremonie me tapet të kuq. Çmim Karrierë do t’i jepet Francis Ford Coppola si novatori më i madh i kinematografisë moderne. Çmimi i karrierës do t’i jepet edhe Vangjush Furrxhiut, i cili do të tërhiqet nga e shoqja. Në të njëjtën kohë do të shfaqet edhe një retrospektivë për aktorin e ndjerë. Për të pranishmit nga regjisori Kristaq Mitro dhe aktori Bujar Asqeriu do të prezantohet filmi “Njeriu i mirë” nga Ibrahim Muça dhe Kristaq Mitro, një prodhim i vitit 1982.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›