E Shtunë, 31 Tetor 2026

RROSH kundër dënimit të shqiptarëve që mbrojtën Kalanë e Shkupit

Nga Express më 23 gusht 2011 në ora 20:00

RROSH shpreh shqetësimin për rrezikun e shuarjes së trashëgimisë etnike dhe historike të Shkupit.

Rrjeti i Organizatave Shqiptare (RROSH) përmes një deklarate me shkrim, konsideron që qëllimi i Prokurorisë dhe Gjykatave të Maqedonisë të shpallin fajtor të gjithë shqiptarët të cilët u sulmuan në Kalanë e Shkupit me 13 shkurt 2011 është absolutisht i papranueshëm dhe tendencioz.

“Kjo përpjekje e prokurorisë dhe gjykatës qartazi dëshmon mungesën e provave dhe shpalos prapavijën e proçesit hetimor që të shpall fajtor të gjithë që përpiqën të mbrojnë trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve në IRJM”, thuhet në deklaratë.

RROSH vlerëson se, ky hap është kërcënim i drejtëpërdrejt ndaj të gjithë shqiptarëve në IRJM që nuk pajtohen me politikat asimiluese të Qeverisë së Maqedonisë që realizohen nëpërmjet shkatërrimit dhe uzurpimit të trashëgimisë ilire/shqiptare në këto troje shqiptare”.

“Ky vendim skandaloz dëshmon që Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (IRJM) ushtron politikë monoetnike, përjashtuese dhe asimiluese ndaj kombeve dhe popullsive të tjera që janë pjesë historike dhe institucionale e tij.

Maqedonizimi i Shkupit, si një nga qendrat më të vjetra urbane të banuara historikisht dhe pa shkëputje nga shqiptarët, është përsëritje e politikave të suksesshme dëbuese të sllavomaqedonasve ndaj shqiptarëve në Veles, Prilep, Ohër dhe Manastir nga shekulli i kaluar”, thuhet në deklaratë.

RROSH shpreh shqetësimin për rrezikun e shuarjes së trashëgimis etnike dhe historike të Shkupit.

“Dikur Shkupi ishte qyteti më i madh shqiptar. Proekti monoetnik dhe monofetar SHKUPI 2014 si dhe ekspedita ndëshkuese ndaj kulturës shqiptare në Kalanë e Shkupit ka për qëllim ta shuaj trashëgiminë e pandërprerë etnike dhe historike të Shkupit. Tjetërsimi i shtëpisë së lindjës së Nënë Terezës, kryqi gjigand si simbol politik i sllavo-maqedonasve, imponimi i gjuhës maqedonase, botimi i enciklopedisë skandaloze si dhe përvetësimi i Kalasë Ilire janë vetëm disa shembuj të politikave të sofistikuara dëbuese dhe asimiluese të pushtetit sllavo maqedonas. Shqiptarët që gjetën guximin të ngrisin zërin kundër këtyre politikave dhe u sulmuan nga nga huliganët sllavo-maqedonas po dënohen nga aparati ndëshkues i politikës sllavomaqedonase. Kjo është porosia që ju dërgohet të gjithë atyre që do të vihen në mbrojtje të prezencës së pashkëputur shqiptare në këto troje”, thuet më tej në deklaratë.

Së fundi, RROSH u bën thirrje përfaqësuesve të partive politike shqiptare, në veçanti asaj në Qeveri të përfaqësuar edhe me Ministër të Drejtësisë shqiptar, që mos të lejojnë një akt të tillë ndëshkues si porosi ndaj rinisë shqiptare që po mbronte pragun e derës. Mos kundërshtimi i politikës shqiptare nënkupton edhe aprovimin e tyre ndaj këtij vendimi që do ta regjistrojë historia.

Rrjeti i Organizatave Shqiptare është një forum i organizatave shoqërore shqiptare nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës, Republika e Maqedonisë, Republika e Malit të Zi, Lugina e Preshevës për të bashkërenduar përpjekjet për një jetë sa më të mirë dhe me dinjitet të shqiptarëve kudo ku janë. (INA)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›