E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO, socialistët refuzojnë drekën e Topallit

Kryetarja e Kuvendit shtyn drekën me deputetët, në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. PS-ja refuzon t'i përgjigjet ftesës


TIRANË- Anëtarësimi i Shqipërisë në organizatën e Atlantikut të Veriut (NATO), ka bashkuar qytetarët shqiptarë, por jo politikanët. Pasi ka festuar në dy ditë të ndryshme, politika shqiptare, ashtu si edhe para anëtarësimit, vijon ende të jetë e përçarë. Por, kësaj here përçarja ka të bëjë jo vetëm me përplasjet politike, por edhe me meritat dhe kontributin që çuan në këtë anëtarësim.

Në këtë kuadër, mazhoranca vazhdon ende ta shfrytëzojë këtë moment për përfitim politik, ku ende pas një jave nuk po ndal së festuari në çfarë do lloj mënyre. Kështu, sikur të mos mjaftonin festimet që zhvilloi qeveria për gjatë gjithë së dielës së shkuar, apo edhe pritja që dha Kryeministri Berisha dy ditë më parë për ambasadorët për këtë qëllim, Kryetarja e Kuvendit ka thirrur dje në një drekë festive, një numër të kufizuar deputetësh, kryesisht kryetarët e grupeve parlamentare, si dhe anëtarët e komisionit ad-hoc për NATO-n.

Por, ashtu si dhe gjatë festimeve të tjera të organizuara nga mazhoranca, përfaqësuesit e majtë kanë refuzuar të marrin pjesë, çka duket se ka detyruar Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, që ta shtyjë drekën për një ditë tjetër.

Arsyeja e këtij refuzimi nga dy deputetët socialistë, anëtarë të komisionit ad-hoc për NATO-n, Pandeli Majko dhe Arben Malaj, duket se nuk ka të bëjë vetëm me mënyrën sesi mazhoranca po përpiqet të përvetësojë këtë kontribut, por ka qenë e lidhur më shumë me sjelljen e vazhdueshme që ka treguar kryeparlamentarja ndaj deputetëve të opozitës, të cilët jo pak herë gjatë këtyre katër viteve janë ndjerë të ofenduar prej saj. Sipas deputetit socialist, Arben Malaj, Kryeparlamentarja, me mënyrën sesi është sjellë gjatë ushtrimit të saj si spikere e Kuvendit nuk mund ta meritojë respektin e opozitës.

"Zonja Topalli nuk meriton respektin tonë, për aq kohë që me sjelljen dhe fyerjet e saj po cenon dinjitetin dhe imazhin e Kuvendit të Shqipërisë", - tha dje Malaj, i kontaktuar nga "Shekulli".

Madje, duke marrë shkas nga qëllimi për të cilin është thirrur kjo drekë, pra festimi i anëtarësimit të vendit tonë si anëtar me të drejta të plota në NATO, Malaj i ka kujtuar Topallit se, të qenit pjesë e kësaj aleance, përbën një standard, të cilit Kryeparlamentarja, me gjuhën që ka përdorur ndaj opozitës në Shqipëri, nuk i përgjigjet dot. "Anëtarësimi i vendit tonë në NATO është një meritë e të gjithë shqiptarëve pa dallim dhe nuk mund të përvetësohet nga askush, aq më pak nga Kryetarja e Kuvendit.

Pjesëmarrja në këtë aleancë përkrah vendeve më të zhvilluara të botës, përbën një standard që nuk mund të përfaqësohet dot nga Topalli, e cila me mënyrën sesi ka drejtuar Kuvendin në këto 4 vite, sidomos në raport me opozitën, ka treguar se qëndron shumë poshtë këtij niveli", - shtoi Malaj.

Ndërkohë që, burime pranë Kryetares së Kuvendit, kanë mohuar faktin që Kryetarja e Kuvendit të ketë thirrur një drekë të tillë, aq më shumë dje, kur ajo ka qenë e angazhuar në një takim me gratë e Peqinit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›