Përleshje me policët për makinat
PESHKOPI/ HASAN PASHA
Dy të rinj përleshen me efektivat e policisë së Komisariatit të Peshkopisë, pasi tentuan të merrnin me dhunë makinat e bllokuara. Ngjarja është zhvilluar brenda pak çastesh dhe forcat e policisë janë detyruar të përdorin armët e zjarrit për të mbajtur situatën nën kontroll, por kjo ka sjellë plagosjen e një kalimtareje. Sipas të dhënave të policisë, incidenti i parë u shënua rreth orës 14:00 të së martës, kur Ervin Spahiu, 26 vjeç e Donald Tuka, 19 vjeç, të dy nga qyteti i Peshkopisë janë konfliktuar me punonjësit e shërbimit te postblloku nr.1, inspektor Halil Selishta dhe kanë tentuar të futen me forcë brenda pa lejen e autoriteteve vendore të policisë. I pranishëm në portën kryesore të Drejtorisë Rajonale të Policisë Dibër ka qenë dhe inspektori tjetër, Qemal Kaloshi. Spahiu e Tuka kanë mbërritur befasisht para tyre dhe pa bërë zë i janë drejtuar hyrjes së Drejtorisë Rajonale. Punonjësit e policisë u janë shprehur se nuk mund të hynin brenda institucionit të policisë pa lejen e drejtuesve të saj. Ata jo vetëm nuk kanë pranuar të ndalen, por kanë fyer, kundërshtuar e kanosur dy efektivat e policisë. Mirëpo vendosmëria e dy punonjësve të policisë i ka zmbrapsur nga porta hyrëse e policisë Dibër. Punonjësit e policisë kanë vënë në dijeni drejtuesit e Drejtorisë Rajonale dhe Komisariatit të Policisë për ngjarjen e ndodhur. Por nuk kanë menduar se një tjetër ngjarje do të shënohej po atë ditë, madje vetëm pak minuta më vonë. Sapo punonjësit e policisë janë larguar nga vendi i punës, Tuka e Spahiu u kanë zënë pritë atyre te kryqëzimi i Degës së Mobilizimit Dibër. Halil Selishta e Qemal Kaloshi kishin lënë turnin e punës dhe po shkonin në shtëpi, kur rreth orës 19:30 u është dashur të përballen fizikisht me agresorët e pak orëve më parë. I pari është sulmuar Halil Selishta, të cilin Tuka e Spahiu kanë arritur ta mbërthejnë për gryke dhe ta rrëzojnë përtokë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, qëllimi i përleshjes ishte për t’u marrë armët dy punonjësve të policisë. Në këto kushte, Selishta ka qëlluar me pistoletën e punës në ajër për të frikësuar agresorët. Në këto momente, sqaron policia e Dibrës, është plagosur lehtë shtetasja Manushaqe Kacani, e cila nuk paraqet probleme për shëndetin dhe jetën e saj.
Në kohë rekord në vendin e ngjarjes janë ndodhur të tjera forca policie dhe nuk kanë lejuar çarmatosjen e kolegëve të tyre, madje kanë mundur të prangosin dy shtetasit që guxuan të dhunojnë policinë. Të rinjtë do të përballen me akuzat e “kundërshtimit të punonjësve të policisë”, “goditje për shkak të detyrës”, “kanosje” e “mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të rendit publik”.