E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama gati të rishqyrtojë 200 ligje e dekrete të Bush

 

A kishte paqe në takimin Obama Bush?. Një pyetje që në Shtetet e Bashkuara, shumica e analistëve i jep përgjigje negative. Në një shkrim të gjatë, "Deutsche Welle", tregon se përçarja mes dy presidentëve është shumë e madhe. Në Uashington nuk është më sekret, se veprimi i parë që do të bëjë Obama si president është shfuqizimi i dekreteve dhe projektligjeve të Bushit. Çdo president i ri i zgjedhur viziton paraardhësin në Shtëpinë e Bardhë. Kjo është në traditën e politikës së SHBA-së. Megjithatë kësaj radhe vizita u zhvillua shumë shpejt, thuajse një javë pas zgjedhjeve. Kjo pasi problemet, që ka vendi dhe bota janë të mëdha dhe sfiduese. Pas bisedës, zëdhënësja e Bushit Dana Perino dhe një zëdhënëse e Obamës pothuajse njëkohësisht, u prononcuan për shtypin dhe e cilësuan takimin si "konstruktiv dhe miqësor". Ato deklaruan, se Bushi dhe Obama kanë biseduar mbi krizën financiare si dhe mbi të gjitha temat e politikës së brendshme dhe të jashtme. Por pavarësisht përpjekjes për të demonstruar harmoni nga jashtë, SHBA-ja përjeton ndërkohë një tërmet politik. Xhon Podesta, një nga anëtarët më të rëndësishëm të ekipit të Obamës, deklaroi së fundi, se pas marrjes zyrtarisht të postit më 20 janar, Obama do të tërheqë një sërë dekretesh dhe projektligjesh presidenciale. Në fakt, ndërkohë grupet liberale të lobistëve, deputetë demokratë dhe ekipi i Obamës janë duke verifikuar një listë prej rreth 200 dekretesh. Ata kërkojnë dekrete të Bushit me motive politike, të cilat sipas tyre nuk janë në interes të vendit. Kjo listë është përpiluar qysh në verë me kërkesën e Obamës nga një ekip i përbërë nga 50 ekspertë. Të parat dekrete që do të tërhiqen janë ato që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit, shpimet për gazin natyror, abortin, kërkimet në qelizat embrionale dhe ato mbi sistemin e shëndetësisë, mësohet nga rrethi i ngushtë i Obamës. Edhe kampi i diskutueshëm i të burgosurve në Guantanamo do të vihet nën lupë. Por ekspertët në Uashington tërheqin vëmendjen, se as Obama, pavarësisht premtimit elektoral, nuk do të mund ta mbyllë menjëherë kampin. Duhet të gjendet një kompromis ndërkombëtar, se çfarë do të bëhet me të burgosurit. Vendimi i Obamës për të mos marrë pjesë në samitin e G20-ës bën të qartë, se ai nuk është i gatshëm të marrë përsipër përgjegjësi të përbashkët politike me Bushin, të cilin ai për dy vjet me radhë gjatë luftës elektorale e ka kritikuar ashpër. Obama thotë: "SHBA kanë vetëm një president" dhe deri në dorëzimin zyrtarisht të postit ai do të jetë Xhorxh Bushi". Sipas Zërit të Amerikës, Presidenti i zgjedhur amerikan Barack Obama do të vendosë rregulla që kanë si qëllim të reduktojnë rolin e lobingut, teksa përgatitet të ngrejë administratën e tij. Podesta tha se zoti Obama do të vendosë "rregullat më të rrepta dhe më etike" të përdorura ndonjëherë nga ndonjë ekip tranzicioni. Ai premtoi gjithashtu edhe kalimin më transparent dhe të hapur të pushtetit në histori. Zyrtari i lartë i ekipit të presidentit të zgjedhur Obama, dha shenja lidhur me prioritetet e administratës së tij të ardhshme. Ai nuk bëri me dije se kur zoti Obama pritej që të bënte emërimet në postet kyçe si Sekretar i Thesarit dhe Sekretar i Shtetit. Por ai përsëriti se prioriteti kryesor i administratës së re do të ishte stabilizimi i ekonomisë dhe kthimi i Amerikës në punë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›