E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncohet prokurori i Durrësit

 

Kallëzohet për ndjekje penale kryeprokurori i Durrësit Arian Ndoja. Kallëzimi për ndjekje penale të tij është bërë Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, për shkak të mos verifikimit të burimit të një shume prej 86 mijë eurosh, të cilat pretendon se i ka fituar gjatë punës si avokat në vitet 2004 - 2008. Kallëzimi penal i është drejtuar organit të akuzës së kryeqytetit, Njësisë së Përbashkët Hetimore për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, ndërsa për dijeni i është dërguar edhe Kryeprokurores Ina Rama. Në një njoftim për shtyp ILDKP pohon se sipas ligjit ka vendosur kalimin për kontroll të plotë të deklaratës së kryeprokurorit të Durrësit. Sipas tyre, Arian Ndoja në deklaratën e 5 marsit të këtij viti ka deklaruar se për periudhën qershor 2004 - janar 2008, kohë gjatë së cilës ka ushtruar profesionin e avokatit në kryeqytet ka përfituar pasuri në shumën 743 mijë euro. Gjatë verifikimit të kryer nga ILDKP ka rezultuar se Ndoja është shkarkuar nga detyra e prokurorit më 23 prill 2004, ndërsa më 3 qershor të atij viti ka dorëzuar në këtë institucion deklaratën e pasurisë "Pas largimit nga funksioni" ku ka shënuar: "Benz 190", me vlerë 200 mijë lekë; gjendje cash në shumën 20 kijë euro; të ardhurat nga paga si Prokuror në Durrës, për katër muajt e parë të vitit 2004 dhe deri në fund të vitit si avokat në Tiranë, në shumën 28 mijë euro dhe 280 mijë lekë; 500 mijë lekë të ardhura nga paga e bashkëshortes, shefe personeli dhe juriste e hotel "Dajtit". Më tej në kallëzimin e depozituar në prokurori ILDKP pohon se më 28 janar të këtij viti Ndoja është riemëruar në detyrën e prokurorit, me funksion, drejtues i organit të akuzës në Durrës. Më 5 mars të këtij viti Ndoja ka dorëzuar në ILDKP deklaratën e interesave private "Para fillimit të detyrës", në të cilën ka shënuar: Apartamente, lokale, automjete, kredi bankare, gjendje cash, hua, të ardhura si pedagog, të ardhura nga puna e bashkëshortes, si dhe të ardhura nga puna e prindërve si mësues. Nga llogaritja e të dhënave të vetëdeklaruara rezulton se Ndoja nga qershori 2004 deri në janar 2008, ka përfituar të ardhura si Avokat i Dhomës së Avokatisë Tiranë plot 743 mijë euro. ILDKP pohon se ka kërkuar nga disa institucione të specializuara konfirmime lidhur me deklarimet e Ndojës, si dhe nëse ai aktivitetin e tij si avokat mbrojtës e kryente apo jo duke respektuar procedurat tatimore. Ka dalë se ai është regjistruar si person fizik dhe në organet tatimore dhe se nuk ka paguar asnjë detyrim për aktivitetin që ushtronte. ILDKP pohon se janë krijuar dyshime të arsyeshme se pasuritë e fituara nga Ndoja gjatë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e avokatisë, ndër të tjera, janë rrjedhojë dhe e fshehjes së detyrimeve fiskale,  mbeten të pajustifikuara rreth 86 mijë euro.                                    re.kro.

Pasuritë e Ndojës

Apartament 117.5 m², Tiranë, 65 mijë euro.
Apartament 327.71 m², Shëngjin, 163.855 euro.
Apartament 90.2 m², Shëngjin, 2 milionë lekë.
Lokal 114.6 m², Shëngjin, 114.600 euro.
Lokal, 159.52 m², Shëngjin, 159.520 euro.
"Benz" 200 mijë lekë.
"BMW" 34 mijë euro.
Gjendje cash 130 mijë euro.
Dhënë hua 75 mijë euro.
Kredi 20 mijë euro.
Paga si pedagog 3.000 lekë/ora + provimet.
Paga e bashkëshortes 504 mijë lekë në vit.
Paga e të atit 328 mijë leke në vit.
Paga e së ëmës 294 mijë lekë në vit.
Të ardhura nga avokatia 743 mijë euro.
Vërtetuar me 18 fatura klientësh 657 mijë euro
Mbeten të pambuluara 86 mijë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›