EULEX, Thaçi: Ëndrrat e Beogradit për të prekur Kosovën kanë vdekur
Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi ka konfirmuar dje në Prishtinë se autoritetet kosovare nuk do t'i pranojnë propozimet e bashkësisë ndërkombëtare për funksionalizimin e misionit të EULEX-it. "Për Prishtinën nuk do të ketë imponime, ne jemi në proces, procesi është i hapur, Beogradi mund të prezantojë çfarë të dojë. Ëndrrat e Beogradit për të prekur sovranitetin e Kosovës kanë vdekur apo janë varrosur më 17 shkurt të këtij viti", theksoi Thaçi. Diplomatët ndërkombëtarë po bëjnë presion mbi palën kosovare, që të pranojë një plan gjashtëpikësh të propozuar nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon. Plani nuk është bërë publik zyrtarisht dhe autoritetet e Kosovës nuk i kanë komentuar hollësitë e tij, por mendohet se ai është një dokument kompromisi mes ndërkombëtarëve dhe Beogradit, për të mundësuar shtrirjen e misionit të EULEX-it edhe në veri të Kosovës. Shtrirja e misionit të BE-së në zonat e banuara nga serbët në Kosovë, është kundërshtuar nga serbët e Kosovës dhe Beogradi zyrtar, i cili kërkon nga misioni i ri që të jetë neutral ndaj statusit të Kosovës. Autoritetet e Kosovës kanë shprehur vendosmëri për të mos e pranuar këtë plan, për shkak se siç thuhet, ai përmban elemente të ndarjes në vija administrative të Kosovës. Kryeministri Thaçi tha të mërkurën se plani i propozuar binte ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe me planin e ish të dërguarit të OKB-së, Marti Ahtisaari. Kreu i qeverisë tha se Prishtina është e gatshme për vazhdimin e bisedimeve për gjetjen e një zgjidhje për vendosjen e EULEX-it, por nënvizoi se "në çdo rast duhet të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, pavarësia, sovraniteti dhe funksionimi unik i vendit". Megjithatë, Bashkimi Evropian shpreson se deri në fund të javës do të mund të arrijë një marrëveshje me Prishtinën për pranimin e planit.