E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgu i Shënkollit, 50 të dënuar nisin grevën

 

LEZHE - Burgu i Shën-Kollit në Lezhë është përfshirë prej disa ditësh nga greva e urisë e rreth 50 të dënuarve. Shkaku i refuzimit të ushqimit, që pranohet zyrtarisht edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, janë tre kërkesa të të burgosurve: Vonesat e ekzekutimit të vendimeve penale; mosnjohja e ditëve të punës për efekt ulje dënimi dhe kërkesa për ulje dënimi e për amnistitë e fundvitit. Të burgosurit që kanë refuzuar ushqimin pohojnë se kalojnë shumë kohë në qelitë e paraburgimit dhe nuk dërgohen në burg, edhe pse kanë marrë dënime të formës së prerë. Më tej ata pohojnë se puna në burg në mjaft raste nuk u njihet si e tillë, pasi ndodh që të mos shënohet nëpër regjistra të institucionit dhe për pasojë i privon nga ulja e katër ditëve të dënimit në muaj. Kërkesa e tretë e të dënuarve ka të bëjë me uljet e dënimit për shkak të sjelljes së mirë në qeli dhe aplikimi i amnistive të fundvitit nga krerët e shtetit. Grevistët pohojnë se nuk do të heqin dorë nga kjo rrugë deri në plotësim të kërkesave të tyre. Ndërkohë Drejtoria e Burgjeve pohoi dje se përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe të këtij institucioni, pasi takuan të dënuarit dhe dëgjuan pretendimet e tyre kryen verifikime, pas të cilave ka rezultuar se asnjë nga të dënuarit grevistë nuk kishin të drejtë ligjore për të kërkuar ulje dënimi ose amnisti, ose të kishte pasur raste për vonesa në ekzekutimin e vendimeve penale, apo të kishin qenë në marrëdhënie pune në institucion.                                       fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›