E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oficeri peng në ‘97, zbardhi me dëshmi masakrën e "Qafë-Gjashtës"

 

TIRANE - Eduart Aliaj, oficer policie nga Vlora ka qenë dëshmitari kryesor që ndihmoi Prokurorinë dhe policinë në zbardhjen e "Masakrës së Qafë-Gjashtës". Sipas burimeve zyrtare nga prokuroria, mësohet se oficeri Eduart Aliaj, i cili ka qenë i pranishëm me tre kolegë të tij ka qenë dëshmitar okular, pasi ka qëndruar në krah të kolegut të tij Gjergj Mehmeti, në kohën kur ky u vra dhe u dogj në makinë nga bandat e armatosura në Qafë-Gjashtë. Tri ditë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda, dorëzoi në gjykatë dosjen penale për masakrën e Qafë-Gjashtës me 11 të pandehur, pesë nga të cilët në arrest dhe të tjerët në kërkim. Sipas dosjes penale, të akuzuarit për ngjarjen, janë: Vladimir Sinani, Nestor Sinani, Alqi Paguni, Eduart Çipa, Edmond Sejko, Mikel (Flamur ose Vladimir) Këndezi, Arben Këndezi, Agron Qurku, Aleksandër Bala dhe Ristan Lapa. Ata akuzohen se kanë kryer veprat penale "vrasje në rrethana të tjera të cilësuara" ndaj punonjësit të policisë gjatë kryerjes së detyrës, Gjergj Mehmeti dhe "vrasje në rrethana të tjera të cilësuara", të mbetur në tentativë, ndaj punonjësve të policisë në dëm të shtetasve Sokol Bizhga, Aduart Alia dhe Myzafer Blushi. E gjitha ngjarja u zbardh nga oficeri Eduart Aliaj, i cili pasi ka mbetur vetëm për shkak se dy kolegët e tij ikën dhe Gjergj Mehmeti u vra, është kapur nga turma, është lidhur këmbë e duar dhe është vendosur në makinë. Më pas është dërguar në qytetin e Sarandës ku sipas regjistrimeve filmike, Eduart Aliaj është lidhur në një prej palmave para shkallëve të bashkisë dhe persona të ndryshëm e godisnin me shkelma në trup e fytyrë. Disa prej autorëve të ngjarjes, mësohet se gjatë keqtrajtimit e pyesnin oficerin për shkakun e udhëtimit në Sarandë. Sipas hetimeve të Prokurorisë, Myzafer Blushi, Sokol Bizhga, Eduart Aliaj dhe Gjergj Mehmeti, efektiva të policisë së Vlorës shkuan në Sarandë më 4 mars 1997 me urdhër të ish-zv/ministrit të Brendshëm Agim Shehu. Ai urdhëroi vartësit të shkonin në Sarandë dhe të ringrinin komisariatin që ishte djegur plotësisht një ditë më parë, por në dalje të qytetit efektivat e policisë u përballën me pritën e organizuar nga personat e armatosur, që vranë e dogjën në makinë Gjergj Mehmetin dhe mbajtjen peng e torturuan oficerin tjetër Eduart Aliaj. Ai për arsye familjare, aktualisht ndodhet me qëndrim në Itali.                                              t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›