E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përleshje me thika në disko, 3 të plagosur

21/03/2009  Rëndë njëri prej punonjësve. Arrestohet studenti i Ekonomikut, shoqërohen të tjerë

Policia e Durrësit ka arrestuar shtetasin Bledar Plaku, 30 vjeç, student në Fakultetin Ekonomik në Tiranë, pasi ai akuzohet se i ka prerë fytin me thikë punonjësit të diskotekës “Kolombo” në Plazhin e Durrësit. Sherri mes grupeve të të rinjve mes të cilëve edhe persona të kërkuar nga drejtësia për aktivitet kriminal, ka shkaktuar disa të plagosur njëri prej të cilëve është në gjendje të rëndë. Ngjarja ka ndodhur pasmesnatës të së enjtes, ndërsa të premten janë shoqëruar në polici 7 persona të përfshirë në grindje. Burime policore kanë deklaruar se i riu Besnik Ruci, punonjës diskoteke është prerë në fyt nga tropojani Ruci, ndërsa ka mbetur i plagosur nga goditjet me mjete të forta dhe sendet të ndryshme në diskotekë banakieri i lokalit Ervin Gjuzi dhe klienti Bernard Lame.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03.00 teksa në diskotekën “Kolombo” pronë e shtetasit Pëllumb Tuda dy grupe të rinjsh janë përleshur për motive të dobëta. Grupi hetimor që ka shkuar në vendin e ngjarjes ka konstatuar se palët në konflikt kanë qenë të alkoolizuar dhe se personeli i paktë në lokal e ka pasur të pamundur për të rikthyer normalitetin. Pas hetimit është thënë se i arrestuari Bledar Plaku, student në vitin e tretë në Fakultetin Ekonomik ka qëlluar me thikë në fyt punonjësin e diskotekës shtetasin Besnik Ruci, i cili pas hemorragjisë së pësuar ka rënë pa ndjenja. 30-vjeçari nga Tropoja me studime në Tiranë kishte ardhur së Plazhin e Durrësit për të kaluar një natë në diskotekë me shoqërinë e tij, por më pas është përfshirë në përleshje.

Fillimisht janë goditur me grushte dhe shishe disa shtetas. Pas këtij sherri ka ndërhyrë personeli i diskotekës “Kolombo”, ndërkohë që policia ka pohuar se punonjësi i lokalit Besnik Ruci është qëlluar me thikë nga studenti Bledar Plaku. Nga hetimet paraprake mësohet se në krah të studentit ka dalë edhe shtetasi E. K. 22 vjeç. Policia që ka bërë prangosjen e të dyve ka deklaruar se Plaku ka goditur me thikë shtetasin Besnik Ruci, Bernard Lamen e Ervin Gjuzin duke i shkaktuar të parit plagë të rëndë. Për të normalizuar situatën policia ka dërguar në lokal dhjetëra efektiva të gatshëm, të cilët kanë shoqëruar në polici edhe disa të rinj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›