E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përleshje mes policisë dhe udhëtarëve

SHKODËR/ Në orët e vona të mbrëmjes disa pasagjerë të një furgoni janë goditur nga uniformat blu

SHKODËR - "Policia na ka rrahur pa asnjë shkak dhe kështu veprojnë vetëm grekët kur na kapin në kufi si klandestinë". Banorë të fshAtit Urë e Shtrenjtë në komunën Postribë në Shkodër pretendojnë se uniformat blu kanë ushtruar dhunë mbi ta.

Sipas banorëve, gjithçka ka ndodhur pasditen e së mërkurës kur ata po udhëtonin me një furgon në linjën Mes - Prekal. Në afërsi të urës së telit, një mjet fuoristradë me fenelinë dhe targa të policisë i ka parakaluar.

Teksa parakalonte nëpër segmentin rrugor të ngushtë dhe mjaft të dëmtuar, personat që ndodheshin në furgon shprehen se për të evituar përplasjen me mjetin e policisë janë shmangur dhe gati sa nuk kanë rënë në ujërat e lumit Kir në të djathtë të rrugës.

Furgoni është ndalur dhe po kështu dhe mjeti i policisë. Mehmet Fikaj, i cili ndodhej në furgon bashkë me gruan dhe dy fëmijë tregon se ka qenë ai që ka zbritur i pari nga furgoni dhe u ka thënë policëve se gati i hodhën në Kir. "Doli njëri prej tyre, i gjatë, me uniformë, i cili mbante në dorë një kanaçe birre dhe më gjuajti me të. Pastaj më ra me grusht në fytyrë.

Zbritën nga furgoni dhe personat e tjerë, ndërsa polici i gjatë filloi t'i godasë ku të mundet. Një tjetër polic që ishte me të, i shkurtër, është sjellë mjaft mirë dhe është përpjekur të frenojë kolegun e tij, i cili na godiste.

Më kanë shqyer bluzën dhe goditur, po kështu dhe njerëzit e tjerë që u ulën nga furgoni. Unë isha me familjen duke shkuar në shtëpi, pasi kishim qenë në një rast vdekjeje në Rresek".

Ndërsa Sait Fikaj tregon se pak minuta më pas ka ardhur dhe një furgon tjetër nga Drishti dhe njerëzit janë ulur për të parë se ç'po ndodhte. Sipas tij, fuoristrada e policisë kishte targën 0448 dhe ishte tek derë.

Personat e tjerë që janë ndodhur në furgonin SH 7174 D, por dhe të tjerë që kanë ardhur dhe kanë parë skenën, madje kanë ndërhyrë për të ndarë palët, pohojnë se dhuna e ushtruar mbi ta ka qenë pa asnjë shkak.

Lidhur me këtë ngjarje, drejtuesit e policisë së Shkodrës shprehen se mjeti i policisë ka qenë duke shkuar për të bërë një ekzekutim vendimi të gjykatës dhe rrugës ka ndodhur përballja me furgonin e pasagjerëve. Sipas policisë, kanë qenë personat që ndodheshin në furgon që kanë sharë policinë.

Gjithashtu policia pretendon se ata kanë qenë të pirë, ndërsa shprehet se ka bërë padi në prokurori ndaj tyre për kundërshtim të policisë. Sipas drejtuesve të policisë së Shkodrës, ata që pretendojnë se janë dhunuar e keqtrajtuar nga uniformat blu, duhet të shkojnë dhe bëjnë kallëzim në polici dhe prokurori.

Por, ndërkohë, edhe nga banorët e zonës që nuk kishin lidhje me incidentin shprehen se disa prej pasagjerëve të furgonit kanë qenë tek një shtëpi në Rrësek ku ka pasur një rast vdekjeje dhe në këtë zonë në rast vdekjeje nuk nxirret alkool.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›