E Shtunë, 31 Tetor 2026

“GO WEST”, shërbimi i provës liron nga burgu Nikolin Cakën

01/04/2009  Ishte kapur me bujë për falsifikime në 24 shtete të botës

TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda ka liruar dje të pandehurin Nikolin Caka, i kapur në operacioni “Go West”, pasi u akuzua për falsifikime. I dënuar me 10 vjet burg dhe më pas i rikthyer nga Gjykata e Apelit, Caka lë dyert e burgut për shkak të pritjes nga Ministria e Drejtësisë për një përgjigje që ka lidhje me shërbimin e provës. Ligji i sapo dalë për shërbimin e provës ka gjetur të papërgatitur gjykatën, e cila nuk mund të shprehet për lirimet me kusht apo për uljet e dënimit. Kriteri bazë, që duhet të përmbushë një i dënuar, për të përfituar nga dënimet alternative, është pikërisht figura e veprës penale, rrezikshmëria shoqërore, etj. Ndërkohë që dosja për Cakën ishte rikthyer afatet kishin përfunduar dhe ai nuk mund të qëndronte më brenda në qeli. Caka ka kërkuar shuarjen e masës së sigurimit disa kohë më parë dhe kjo kërkesë u plotësua dje në seancën e radhës gjyqësore. Avokati mbrojtës i të dënuarit, i kërkoi gjykatës lirimin e tij nga burgu, pasi ka mbaruar të gjitha afatet e dënimit. Caka u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda me 10 vjet burg dhe 8 milionë lekë gjobë. Caka ka qenë pronar i agjencisë së udhëtimeve "Go West", me vendndodhje te Rruga e Durrësit, pranë bllokut të ambasadave në Tiranë. Dosja u verifikua nga gjyqtarët dhe doli që afatet kishin përfunduar për Cakën. Nikolin Caka së bashku me të pandehurit e tjerë u deklaruan fajtorë për kryerjen e një numri jo të vogël akuzash të falsifikimit, që nga dokumentet zyrtare, pasaportat, vulat, dokumentet e gjendjes civile të gjitha këto në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ideatori dhe organizatori i këtij grupi të strukturuar kriminal është i pandehuri Nikolin Cako, pronari i agjencisë “Go West” që pajiste me viza dhe pasaporta të 24 shteteve të botës kundrejt shumave të ndryshme parash. “I pandehuri Nikolin Cako gjatë ushtrimit të punës së tij si administrator i agjencisë “Go West” ka rekrutuar në grup edhe ish-efektivët e policisë së Rinasit, të cilët kundrejt shpërblimeve me para kalonin klandestinët e pajisur me dokumente të udhëtimit nga ambasada “Go West” që ndodhej në rrugën e Durrësit, shumë afër vilave të ambasadave të huaja.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›