Përleshje të ashpra në Siri, dhjetra viktima

Aktivistët thonë se trupat siriane kanë bombarduar një qytet në krahinën qëndrore të vendit, Homs, me armë artilerike, duke shkaktuar disa viktima në kuadër të shtypjes së protestave që po vazhdon edhe sot.
Raportohet se predhat janë gjuajtur në një nga qytetet, ndërsa snajperët, janë vendosur në kulmet e xhamijave.
Trupat siriane së bashku me tanket, kanë zhvilluar operacione në dy qytete nga dita e dielë, ndërsa aktivistët thonë se 11 persona janë vrarë deri tani. Në anën tjetër, televizoni shtetëror ka raportuar se katër ushtarë janë vrarë gjatë operacioneve në një nga dy qytetet.
Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në OKB, Navi Pillaj, ka thënë sot se brutaliteti dhe magnituda e represionit në Siri, kundër grupeve anti-qeveritare është “shokuese”.
Grupet për të Drejtat e Njeriut thonë se mbi 1 mijë persona janë vrarë ndërsa 10 mijë janë arrestuar që prej nisjes së revoltës kundër Presidentit Bashar Al Asad, në muajin mars.
Autoritetet siriane thonë se 143 ushtarë, pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe policë janë vrarë deri tani.