E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përleshje të reja në Liban

Raportohet për përleshje të shumta në disa zona të Libanit, pas vrasjes së një zyrtari të lartë të inteligjencës.

Gjenerali Wissam al-Hassan, shef i inteligjencës, i cili ishte kundërshtarë i Sirisë, u vra të premten gjatë një sulmi me bombë.

Përfaqësues të opozitës e kanë akuzuar Sirinë për vrasjen e tij, ndërkohë që protestues të zemëruar u përpoqën që ta sulmonin objektin e qeverisë, pas funeralit të tij.

Në qytetin verior të Tripolit raportohet se janë vrarë të paktën tre njerëz, gjatë përleshjeve të armatosura.

Raportohet se edhe në jug të lagjeve periferike të Bejrutit, trupat ushtarake kanë lënduar disa persona.

Ushtria e Libanit tha se do të veprojë me vendosmëri për t’i frenuar tendosjet dhe politikanëve dhe protestuesve u bëri thirrje për qetësi.

Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar se do ta ndihmojnë Libanin që të hetojë incidentin e shpërthimit të një veture bombë, që la të vrarë shefin libanez të inteligjencës.

Departamenti amerikan i shtetit njofton se sekretarja Hillary Clinton ka folur në telefon me kryeministrin e Libanit dhe e ka dënuar sulmin me bombë të së premtes.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›