E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përleshjet në Jagnjenicë, i plagosur edhe kreu i operacionit të KFOR-it

Në aksionin e ndërmarrë dje nga KFOR-i në Jagnjenicë, afër Zubin Potokut, gjatë përpjekjeve për të mënjanuar barrikadat që pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, serbët kanë plagosur 23 pjesëtarë të KFOR-it, ndër ta edhe komandantin e operacionit.

Barrikada që ka bllokuar qarkullimin në rrugën Mitrovicë-Zubin Potok, ka qenë e mbrojtur nga serbë vendas, të cilët i kanë rezistuar thirrjeve të batalionit gjerman dhe atij austriak të KFOR-it që të largohen. Përkundrazi, një grup i protestuesve serbë ka gjuajtur me armë në drejtim të ushtarëve, duke bërë që njëri nga komandantët e operacionit të plagoset në shpatull, dhe një ushtarë tjetër të plagoset në këmbë.
 

Që të dy ushtarakët janë jashtë rrezikut për jetën ndërsa mësohet se lëndime, gjatë përleshjes kanë pësuar rreth 30 serbë, të cilët po marrin ndihmë mjekësore në qendrat shëndetësore në Zveçan e Zubin-Potok.
 

Burime ndërkombëtare kanë shpjeguar se misioni paqeruajtës ka përdorur përvojat e dy aksioneve të mëparshme për heqjen e barrikadave për të parandaluar veprimet e grupeve kriminale. Në dy aksionet, njëri më 27 korrik dhe tjetri më 23 nëntor, KFOR-i nuk pati arritur që t`i mbajë më shumë se tre orë rrugët e hapura për shkak të sulmeve nga grupe të organizuara të serbëve.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›