E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përleshjet në Thumanë dhe akuza për arbitraritet

Incidentet

Në mesin e muajit prill, familje të drobitura gdhiheshin nën agun e një dite të re, krejt të pazakontë, në gërmadhat e shtëpive të tyre në Thumanë. Edhe atje u ndal furia “Bojaxhi”. Shembjet e shtëpive u erdhën si një rrufe në qiell të pastër, ndërsa ndodheshin në proces gjyqësor. Një vërshim fadromash e skafandrash policore i la në pikë të hallit, pa tokë, pa shtëpi, pa një çati mbi kokë. Dhe ato pak para që u kishin akorduar për shpronësimin, nuk i patën marrë ende. I lanë pa strehë, pa bukë e pa ujë. Aty mes pluhurit të rrugës dhe prishjeve. Ishin afro 50 frymë të familjeve Keqi, Dika, Jangozi, Caka, Muzhaqi etj., që u bashkuan për të ndalur prishjen e shtëpive të tyre. U përleshën me policinë gra, burra e fëmijë, por dolën të humbur. Komuna e Thumanës deklaroi se do të denoncojë Inspektoratin Kombëtar të Ndërtimit dhe kreun e tij, Gjergji Bojaxhi, për dëmet. Por gjëma kaloi dhe asgjë nuk është bërë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›