Gaçi: E trishtueshme që shqiptarët diskutojnë ende sot lirinë e lëvizjes
“është një zhgënjim i madh që pas 20 vjetësh bëjmë sërish këto diskutime”. Flet Artan Gaçi, deputeti i Partisë Socialiste, i cili 20 vjet më parë ishte një student në Institutin e Arteve dhe kërkonte azil në ambasadat perëndimore, pasi jeta e tij dhe familja ishin në rrezik si pasojë e aktivizimit të tij në lëvizjen antikomuniste. Në një intervistë për “Shqip”, Gaçi rrëfen ato ditë të nxehta, por edhe komenton mënyrën sesi u keqpërdor ajo lëvizje nga klasa politike shqiptare këta 20 vjet. Deputeti socialist tregon edhe një risi të papublikuar deri më sot, se në lëvizjen e ambasadave kanë qenë aktivë përveç tij edhe tre përfaqësues të rëndësishëm të PS-së së sotme, përkatësisht: Edi Rama, Ledi Shamku dhe Armen Ahmetaj...
Si i shikoni ju sot ngjarjet e viteve ‘90 për hapjen e ambasadave në Shqipëri?
Për mua dhe për shumicën e shqiptarëve, viti ‘90 është një nga vitet më të rëndësishme për të ardhmen e historisë së Shqipërisë. Ishte viti i ndryshimeve të mëdha. Unë asokohe isha student i Arteve dhe në fund të ’89-s, në nëntor ra Muri i Berlinit dhe këtu në Shqipëri studentët, si pjesa më e sinqertë dhe më e lirë filluan lëvizjet e para sporadike brenda grupeve të vogla, brenda shkollave. Unë kam qenë një ndër studentët më aktivë të asaj lëvizje, me një lloj dëshire dhe idealizmi për këtë vend dhe për të dhënë kontributin tim për këtë ndryshim, i cili kishte ardhur në të gjithë Lindjen, por në Shqipëri ende nuk po vinte. Në atë kohë, filluan peticione dhe zhvillime të ndryshme që kërkonin lëvizjen e lirë të popullsisë. Mbaj mend që jemi shprehur për herë të parë në mbledhje, ku merrnin pjesë edhe të dërguarit e Komitetit të Partisë, madje edhe ministri i Brendshëm ka ardhur një herë për t’u përballur me studentët. Unë kam qenë një ndër studentët e atyre viteve dhe më vjen keq dhe tmerr, që sot përballemi me të njëjtin problem. Po i njëjti problem: liria e votës dhe po i njëjti problem: lëvizja e lirë e shqiptarëve. Në atë kohë ishte shteti që pengonte lëvizjen e lirë se duhet të pajiste me pasaporta pjesën tjetër, kurse tani është prapë për faj të këtij shteti që jemi në këtë gjendje. Sot jemi në vitin 2010 dhe shqiptarët ende nuk lëvizin të lirë. Por nuk është faji i shqiptarëve, sepse janë populli më vital në Ballkan, për një arsye shumë të thjeshtë se nuk ka popull në botë që të ishte në gjendje si në vitin 1997, i shkatërruar, i djegur pas asnjë institucion, armë pa fund dhe të rikuperonte duke pasur shumë qeveri të paafta dhe armike dhe t’i rekuperonte ato për 10 vjet. Kjo është meritë e shqiptarëve, por nëse ne nuk lëvizim lirshëm është faji i politikanëve. Në atë kohë na përjashtuan nga Instituti i Arteve për ide të theksuara antikomuniste dhe unë ndieja kërcënimin e arrestimit. Në atë kohë i dola ambasadorit gjerman përpara dhe i kam kërkuar ndihmë. I kam shpjeguar kushtet ku isha si një aktivist i studentëve dhe i kërkova ndihmë për azil politik, pasi më kishin ardhur sinjale se do arrestohesha. Ai nuk ma mbështeti kërkesën time dhe ai më thoshte se ne duhet të kontribuonim për vendin, sepse studentët ishin pjesa më aktive e popullsisë dhe nëse do të iknim, ne nuk do të kishim më shpresë. Në fund më tha se ne si përfaqësi të huaja do ju mbrojmë. Në atë kohë ne hymë në ambasadën algjeriane.
Zoti Gaçi, ju keni qenë një dëshmitar i hapjes së ambasadave në korrik të ‘90-s. Mund të na thoni sesa përfaqësues të forcave politike që janë sot në Kuvend kanë qenë pjesëmarrës në procesin e hapjes së ambasadave?
është dëshpëruese që të shohësh se partia që pretendon se përfaqëson ata njerëz që iniciuan atë lëvizje nuk ka asnjë përfaqësues në radhët e veta. Përkundrazi përfaqësohet nga njerëz që në atë kohë kanë qenë ish-bllokmenë ose shërbëtorë të bllokut që neve na kanë quajtur jashtëqitja e kombit. Mbaj mend gjendjen shumë të rëndë të asaj periudhe, mbaj mend gjendjen familjare, mbaj mend njerëz që donin të na mbështesnin, por s’na flisnin dot rrugës. Por nuk më hiqet nga mendja kurrë reagimi i ish-komunistëve që po e ndienin se po u hiqeshin privilegjet e veta dhe transmetonin një egërsi që ndihej kudo. Më vjen keq, por këta ish-komunistë si në atë kohë dhe sot, pretendojnë se përfaqësojnë pjesën demokratike të Shqipërisë. Njësoj si Ramiz Alia 20 vjet më parë që shpresonte se arratisjet masive drejt Perëndimit do të shërbenin për të zbutur tensionin e për t'i zgjatur jetën regjimit komunist, edhe sot ish-komunisti Sali Berisha, përgjegjësi kryesor për varfërinë e papunësinë në vend, ka varur shpresat për zgjatjen e sundimit të tij te largimet masive të të rinjve shqiptarë mbas liberalizimit të shumëpritur, të vonuar e të merituar të vizave. I paaftë për ta sjellë e për ta jetuar Europën brenda kufijve të Shqipërisë, Sali Berisha proklamon ta gjejmë Europën në dhe të huaj. Dhe nëse 20 vjet më parë 5000 shqiptarë kërkuan të largohen nga Shqipëria, sot 1 milion shqiptarë ndodhen jashtë vendit, dhe shumë të tjerë të gatshëm për të hedhur vështrimin drejt Perëndimit me shpresën për një jetë më dinjitoze.
Si mendoni ju, cili është shkaku që këta persona që ishin aktivë në vitin 1990 për hapjen e ambasadave nuk janë sot në politikën shqiptare, që ndoshta sot duhet të ishin më aktivë për çështjen e liberalizimit të vizave?
Po ju jap rastin tim. Besoj se rasti im do të jetë edhe përgjithësues. Iu bashkova asaj lëvizjeje vetëm duke rrezikuar. Nuk kisha asnjë gjë të sigurt se çfarë do t’u ndodhte familjarëve. Jeta ime ndryshoi totalisht nga një student i Akademisë së Arteve me një ardhme të sigurt, përfundoi në një të kërkuar nga Sigurimi, një të arratisur rrugëve të Europës dhe me një familje që nuk dihej ku do të përfundonte. Megjithatë, kam besuar dhe shpresuar dhe kam qenë idealist si shumica e popullsisë së Tiranës që e mbështetën atë lëvizje dhe kishin një besim të patundur se ajo klasa e ish-komunistëve do të ndryshojë dhe do të gjeneronin njerëz nga kjo lëvizje. Unë jam kthyer në 1993 nga Italia dhe jam zhgënjyer pa masë, pasi shikoja parti që hapeshin përditë nga ish-sigurimsa dhe kontrolloheshin nga ish-agjentë të shërbimit sekret, ku të gjithë ishin ish-komunistë dhe shanin njëri-tjetrin për komunistë dhe realisht nuk përfaqësohej fare fryma e popullit. Që prej asaj kohe s’jam marrë më me politikë. Kam hyrë në politikë para 3 vjetësh, kur me hyrjen e Edi Ramës, me të cilin kam qenë një ndër bashkëpunëtorët në Institutin e Arteve dhe ka qenë i vetmi pedagog që mbështeste lëvizjen e studentëve në mënyrë të hapur dhe radikale, m’u kthyen shpresat kur biseduam për këto gjëra dhe ishte në tavolinë ideja për të kontribuar në atë që ne kishin nisur të bënim. Aty kam marrë vendimin për t’u rifutur për këtë qëllim. Besoj se jam konsekuent me veten time edhe me lëvizjet e fundit, edhe me grevën e urisë dhe me të njëjta kërkesa si 20 vjet më parë. Më duket si e vetmja mundësi tani për tani, që ta vazhdojmë atë që nisëm. Pjesë aktive e kësaj lëvizjeje është, Edi Rama, dhe ai vazhdon të jetë konsekuent si 20 vjet më përpara. Në grevën e urisë së atëhershme dhe në lëvizjen për hapjen e ambasadave kanë qenë edhe përfaqësues aktualë të Partisë Socialiste, ku unë jam një prej tyre, është Edi Rama, Ledi Shamku, Arben Ahmetaj.
Si dëshmitar i atyre viteve dhe si deputet i PS-së, sa afër dhe sa larg, e shikoni ju procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët?
Unë procesin e liberalizimit të vizave e shikoj të afërt për shumë arsye. Meritën më të madhe e ka populli shqiptar, i cili është vetëm një në tre veta janë jashtë Shqipërisë. Në saj të forcave të veta dhe të vullnetit të tij. Shqiptarët kanë treguar se janë vitalë dhe plus edhe faktorëve gjeo-politikë të Europës. Këto janë arsyet pse e shikoj të afërt liberalizimin e vizave. Por, është një zhgënjim i madh që pas 20 vjetësh bëjmë sërish këto diskutime.
#