E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk toleroj asnjë ndërtim pa leje, pavarësisht interesave politike

Kryeinspektori i Ndërtimit, Gjergj Bojaxhi: Tre objektivat tona

Brenda një harku kohor të shkurtër ka kryer aksione sa për të gjithë vitin, duke shkaktuar reagime nga më të ndryshmet. Pasi mbylli sfidën me sektorin energjetik, duke prerë me pinca linjat e dyfishta, tashmë Gjergj Bojaxhi ka marrë përsipër një tjetër sektor, akoma e më të rëndë: kontrollin e fadromave për ndërtimet pa leje. Në intervistën për “Shqip”, Bojaxhi thotë hapur se nuk do të tolerojë asnjë ndërtim pa leje që ka pushtuar vendin dhe se nuk do të njohë asnjë lloj kompromisi, pavarësisht ngjyrimeve politike.

Inspektorati duket se ka nisur një aksion të gjerë dhe të papritur. A ka pasur strategji para ndërhyrjes në terren?

Duke filluar nga muaji prill, kur mora drejtimin e inspektoratit, përjashto rastet e ndërhyrjes që bëmë për pastrimin e autostradës në Mamurras dhe Fushë-Arës, inspektoratit për një muaj e gjysmë ka qenë në proces shqyrtimi procedurash, strategjie dhe ristrukturimi. Kjo u bë për faktin që kur të niste puna, të kishim një plan, një strategji të mirëfilltë dhe një ecuri pune të rrjedhshme. Si pasojë e këtij rishikimi, u gjykua se prioriteti kryesor do të ishte bregdeti shqiptar, pastrimi i tij nga ndërtimet e paligjshme. Prioriteti i dytë u vendosën akset nacionale, të cilat kanë nisur të urbanizohen dhe kioskëzohen. Kurse e treta ishin zonat me rëndësi kombëtare, si parqet, zonat arkeologjike, të cilat janë nën kërcënimin dhe pushtimin e ndërtimeve të paligjshme. Këtu mund t’ju përmend Lezhën, e cila mban zonën A, më të lartë arkeologjike, ku ka mbi 50 ndërtime pa leje përreth varrit të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti.
Prioriteti tjetër është kurora e gjelbër e kryeqytetit, për shkak të rëndësisë së veçantë. Aktualisht kurora është e dëmtuar dhe detyra jonë është ndërhyrja në terren për të ruajtur. Kryesisht bëhet fjalë për komunat Dajt dhe Farkë.

Këto ndërtime pa leje që po prishen, sa preken ose mbrohen nga procesi i legalizimeve?

Në të gjitha zonat ku është ndërhyrë, procesi i legalizimit nuk funksionon, pasi janë zona me rëndësi kombëtare. Nuk mund të përfitojë nga procesi i legalizimit ai ndërtim që ndodhet buzë detit, qoftë lokal apo hotel. Nga legalizimet kanë përfituar vetëm objektet përreth qendrave të mëdha urbane, dhe jo ato buzë detit, sikurse dhe objektet pranë zonave me rëndësi të veçantë.

A ka pasur bashkëpunim me njësitë vendore, ose përplasje?

Ne padyshim i kemi dhënë mundësi pushtetit lokal që të japë kontributin e tij në aksionet tona, por në ato raste kur pushteti lokal del kundër ligjit, atëherë ne ndërhyjmë. Në përgjithësi pushteti lokal ka bashkëpunuar dhe ka qenë mbështetës në zbatimin e ligjit. Edhe kur pushteti lokal ndërhyn, nuk ka lidhje me ligjin, por me interesat politike, të cilat neve nuk na interesojnë.

A ka pasur ankesa nga banorët për prishje të ndërtimeve në mënyrë selektive?

Në rast se do të kishim bërë punë selektive, natyrisht që aksionet tona nuk do të ishin të njoftuara publikisht. Fakti që inspektorati e bën publike punën e vet, paraqet planin e ndërhyrjes etj., do të thotë që nuk ka shanse të bëjë prishje selektive. Njerëzit, në momente inati, mund të shprehin shumë gjëra, por të gjithë individët, shtypi etj., kanë mundësi të marrin informacione mbi aksionet tona dhe për të verifikuar nëse janë selektive apo jo. Ka pasur një rast sinjalizimi në Vlorë, ku një ndërtim pa leje kishte mbetur i paprishur dhe u perceptua si selektivitet. Ne, brenda 24 orësh morëm masa duke ndërhyrë, duke dhënë mesazhin e qartë për zbatimin e ligjit.

Si procedohet me afatet? A respektohen ato? A paralajmërohen njerëzit para shembjes së objektit dhe a kanë kohë të mjaftueshme për t’u zhvendosur? Kemi parë plot skena me objekte që prishen, brenda të cilave kishte orendi shtëpiake.

Të gjitha afatet respektohen për të gjitha fazat e ndërhyrjes, dokumentimit, identifikimit etj. I gjithë afati i vendosur mjafton për të zhvendosur orenditë shtëpiake. Ajo çfarë ndodh është fakti se pronarët e objekteve pa leje nuk i heqin orenditë, duke shpresuar në tërheqje nga ana jonë. Ne përpiqemi të jemi sa më njerëzorë, duke ruajtur mallin e tyre, por kur individi e bën qëllimisht për të ndaluar punën tonë, atëherë ne zbatojmë planin sipas ligjit.

Si është bashkëpunimi me forcat e rendit?

Kemi bashkëpunuar mirë. Nuk është se nuk ka pasur probleme. Me kalimin e kohës i kemi rritur linjat e bashkëpunimit, ku secila palë ka dhënë kontributin në zbatimin e ligjit.

Sa e drejtë është prishja e ndërtimeve në zonat bregdetare në kohën kur zhvillohet sezoni turistik?

Muaji qershor kur ne kemi nisur aksionet, ka qenë i lagësht dhe me shi, dhe nuk ka pasur ndonjë periudhë të zhvillimit turistik. Gjithsesi, për t’ju sqaruar, po marr zonën e Ksamilit, ku bëmë ndërhyrje. Siç e dini, zona e Ksamilit është një kantier ndërtimi ku nuk ka dallim mes punës tonë dhe atyre që ndërtojnë. Në Ksamil, edhe gjatë muajit korrik të vitit të kaluar, shumë pushues janë ankuar për zhurmat e shkaktuara nga ndërtimet që bënin banorët. Pra, Ksamili është një qytezë ku po ndërtohet masivisht dhe nuk mund të thuhet se është një ambient i qetë për turizëm, sikurse është Butrinti apo bregdeti. Qyteza ka qenë e zhurmshme me ndërtimet që bëheshin në çdo stinë, sidomos në verë.

Megjithatë, duke parë edhe vitet e kaluara, vihet re që prishja e ndërtimeve pa leje gjithnjë ka nisur në qershor, kur fillon sezoni turistik. Pse ndodh kjo?

Gjithmonë ka pyetja të tilla, sikurse ka edhe kur ndërhyhet në dimër, që pse banorët u lanë jashtë në të ftohtë dhe mund të bëhej në pranverë ose vjeshtë. Por edhe për këto dy sezone do të bëhen pyetje që pse po prishen para dimrit ose para verës. Domethënë, po të merremi me efektet anësore, asnjëherë nuk është një kohë e mirë për të prishur objektet pa leje. Ajo që dua të them është se këto janë probleme dytësore dhe për inspektoratin rëndësi ka thelbi, respektimi i ligjit dhe prishja e ndërtimit pa leje. Ajo që duhet të kuptojmë është se Shqipëria është nën pushtimin e ndërtimeve pa leje. Në Shqipëri vazhdohet të zaptohen prona publike. Unë mendoj që ky duhet të jetë shqetësimi kryesor për shqiptarët. Fakti që objekti ka njerëz apo s’ka, bëhet në verë apo në dimër, për ne janë çështje të papërfillshme përpara interesit publik. Padrejtësia më e madhe është se këtu ka njerëz që zaptojnë toka duke ndërtuar objekte pa leje. Duhet vënë rregull për të gjithë. Nuk ka asnjë dallim mes atyre që paguajnë taksa dhe atyre që fitojnë në kurriz të të tjerëve duke mos respektuar ligjin.

Keni plane për të ndërhyrë në zonën e Golemit?

Ne kemi plane për të gjithë bregdetin, sikurse edhe për Golemin, në segmente të caktuara.

A ka ndonjë shifër të caktuar se sa do të jenë objektet që do të prishen?

Nuk ka shifra të sakta. Ne në çdo zonë që shkojmë bëjmë identifikimin dhe pastrimin. Domethënë, në zonën e Ksamilit, të gjitha objektet që ishin ndërtuara pas 2007-s, përveç atyre që ishin në bregdet dhe cenonin sigurinë, janë nxjerrë jashtë funksioni. Janë identifikuar edhe 5 objekte të tjera në Ksamil, që do të prishen në shtator. Aty ku ne futemi, bëjmë punën. çdo zone do t’i vijë radha në kohën e caktuar.

Pra nuk ka një hartë të plotë...?

Shiko, ne nuk po bëjmë ndonjë gjë mediatike, por thjesht reale, që nuk është bërë në gjithë këto vite. Për fat të mirë, procesi i legalizimeve u ka dhënë drejtim ndërtimeve pa leje dhe zgjidhje sociale për mijëra banorë që jetojnë pranë zonave urbane. Këtu bëhet fjalë për zona që nuk përfitojnë dot nga procesi i legalizimit.

Ju ndërhyni kur pushteti lokal nuk ka mundësi ta prishë objektin pa leje?

E vërteta është që pushteti lokal, pavarësisht ngjyrimeve politike, ka dështuar në menaxhimin e territorit, në kontrollin e ndërtimeve pa leje, dhe për këtë arsye inspektorati do të tregohet më agresiv në të gjitha llojet e pushtetit lokal, kushdo qoftë partia që e drejton. Pushteti lokal nuk mund të marrë rrogën pa bërë punën, nuk mund të bëjë tendera pa dhënë rezultat dhe të mos menaxhojë territorin se gjoja i humbet vota.

Pa e politizuar, po për Tiranën keni objektiva?

Jemi duke punuar për zonat përreth kryeqytetit, pra ku përputhet me komunat dhe akset rrugore që lidh qytetin dhe komunat. Kjo për faktin se siç dihet, Tirana ka shumë problem me trafikun dhe jemi përpjekur t’i japim zgjidhje. Nuk kemi parë ndonjë dëshirë për bashkëpunim nga ana e inspektoratit të Bashkisë së Tiranës. Aty ku nuk bashkëpunon, ne ndërhyjmë për të zbatuar ligjin.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›