Shkupi: Idetë e Beogradit, shumë të rrezikshme
Për zëvendëskryeministrin e qeverisë së Maqedonisë zërat për një shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë janë ide të vjetra, të rrezikshme dhe tendencioze, të cilat pikërisht shqiptarët do t'i dëmtonin më së shumti në rajon. "Mendoj se këto ide jepen nga Serbia edhe për të shfokusuar vëmendjen e opinionit nga ajo që ndodh me shtetin e ri, me institucionet e reja në Kosovë, me zhvillimin që ka Kosova dhe me zhvillimin që kanë popujt e rajonit në krahasim me Serbinë", tha zëvendëskryeministri Abdylaqim Ademi, në një intervistë për BBC-në. Sipas tij, këto ide janë të papranueshme jo vetëm për Kosovën dhe popullin e saj, por edhe për Maqedoninë. Ademi vlerëson se Kosova "po dëshmon se është shtet që prodhon stabilitet". "Kosova është e pranuar nga një sërë shtetesh të botës dhe ata që e pranojnë pavarësinë e Kosovës e pranojnë sigurisht edhe planin e Presidentit Ahtisari, i cili Kosovën e njeh me kufijtë administrativë dhe ata kufij tanimë janë kufij të njohur ndërkombëtarisht. Janë kufij të shtetit të Kosovës", është shprehur Ademi për BBC-në.
#