E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmasa e re që na dha 2008-a në votëbesimet e qeverive

Zhvillimi i madh i këtij viti është tronditja përfundimtare e imazhit të qeverisë me duar të pastra. Ngjarja e Gërdecit ndryshoi tërësisht historinë e partisë në pushtet dhe vetë Kryeministrin. Berisha, pas Gërdecit është një Kryeministër në panik dhe agresiv ndaj institucioneve të drejtësisë.

Kjo prodhoi një konflikt të gjatë dhe gati të lodhshëm të tij me drejtësinë dhe bashkësinë ndërkombëtare. Hetimi për rrugën Rrëshen-Kalimash, hetimi për Gërdecin dhe së fundi hetimi për sekserin serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, kanë rrënuar imazhin e tij në sytë e qytetarëve shqiptarë dhe kanë krijuar konflikte pa fund të tij me median, drejtësinë dhe bashkësinë ndërkombëtare.

Por, ky vit do të shënohet në historinë e Shqipërisë si viti kur Shqipëria mori ftesën për t’u pranuar si anëtare e NATO-s dhe, de facto, vendet anëtare ratifikuan protokollin e anëtarësimit. Në prill të vitit që vjen, Shqipëria do të jetë formalisht anëtare e NATO-s.

Kjo do të kërkojë një klasë politike të përgjegjshme, e cila duhet të heqë dorë nga konfliktet me bashkësinë ndërkombëtare dhe përplasjet, sidomos me politikën amerikane rreth çështjeve të drejtësisë dhe pavarësisë së institucioneve në vend. Një vend në NATO është natyrisht një vend më pak sovran, por shumë herë më tepër demokratik dhe i lirë, me standarde që i përcakton NATO-ja. Për këtë arsye, shqiptarët, mes ruajtjes së aleancës me NATO-n dhe qeverive të tyre, do të zgjedhin gjithmonë NATO-n dhe Perëndimin, dhe çdo qeveri e tyre do të votëbesohet në raport me mirëkuptimin që ka me qeveritë perëndimore anëtare të NATO-s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›