E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbarimi privat me tarifa më të larta se ai shtetëror



Komisioni Parlamentar i Ligjeve diskutoi gjatë mbledhjes së djeshme rreth projektligjit për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat. Juristja e Ministrisë së Drejtësisë e pranishme në mbledhje bëri të ditur se tarifat e shërbimit përmbarimor privat do të jenë më të larta se ato të shërbimit përmbarimor shtetëror. “Përcaktimi i tarifave do të jetë një hap i mëvonshëm dhe do të përcaktohen nëpërmjet një urdhri të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Financave. Normalisht që tarifat do të jenë më të shtrenjta dhe këto tarifa do të parapaguhen para marrjes së shërbimit. Më pas do të jetë qytetari ai që do të përzgjedhë midis dy shërbimeve atij privat apo atij shtetëror”, - është shprehur juristja Xhafellari. Deputetët e opozitës e cilësuan një risi këtë projektligj, por kërkuan që ky shërbim të liberalizohet plotësisht. Ndërkohë, ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë bënë të ditur se aktualisht do të përdoret një formë mikse, pra një ndërthurje e punës së shërbimit përmbarimor privat dhe atij shtetëror dhe më pas do të kalohet gradualisht në liberalizimin e këtij shërbimi. Relatori i këtij projekti, Sali Shehu, u shpreh se zbatimi i një sistemi të tillë të dyfishtë do të jetë tranzitor, deri në krijimin e një kornize ligjore dhe një vlerësimi përfundimtar, nëse ky transformim do të jetë eficent për kushtet e vendit tonë. Liberalizimi i parashikuar në projektligjin e qeverisë nënkupton që funksionet e shërbimit përmbarimor shtetëror të mund të kryhen edhe nga operatorë privatë, të licencuar për këtë qëllim. Ky proces paraqet disa përparësi, si ulja e shpenzimeve buxhetore, ulja e ngarkesës së punës së shërbimit përmbarimor shtetëror, rritja e cilësisë së tij përmes një shërbimi më të motivuar, futja në treg e operatorëve të rinj në kushtet e konkurrencës, ulja e fenomeneve korruptive në këtë shërbim, etj. Sipas projektligjit, detyra që do të ushtrojnë përmbaruesit privatë do të vlerësohet si një funksion publik i deleguar, nisur nga rëndësia që ka procedura e ekzekutimit të titujve ekzekutivë.

Dule kërkon zgjidhjen e krizës nga Presidenti Topi

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, ka reaguar vetëm një orë para fillimit të seancës së djeshme. Dule, nëpërmjet një deklarate për shtyp, i ka bërë thirrje kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, që të mbledhë Konferencën e Kryetarëve dhe të shtyjë diskutimet për Kodin Zgjedhor. Dule gjithashtu kërkoi ndërhyrjen urgjent të presidentit të vendit për të mbledhur tryezën e partive parlamentare e për t’i dhënë rrugëzgjidhje këtij ngërçi politik.

19 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›