E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbushet misioni, Bajerni shkon në Champions League

Misioni u përmbush: Bajerni i Mynihut do të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm, finalja e të cilit do të zhvillohet pikërisht në “Allianz Arena”. Bavarezët kanë siguruar dje vendin e tretë në renditje, pas fitores 8-1 me Sent Paulin, që i ka çuar ata 5 pikë përpara Hanoverit. Skuadra e Mirko Slomkës është mposhtur 2-1 në fushën e Shtutgartit dhe tashmë do të luajë vetëm në Europa League. Bajerni ka realizuar me anë të Gomez (tripletë), Roben e Riberi (dopietë për të dy) dhe Daniel Van Bujten. Ndërkohë, për vendasit e Sent Paulit, kjo humbje ka qenë rënia matematike nga kategoria. Në fakt, Bajerni mund të shpresojë tashmë edhe në një vend të dytë, duke qenë se Bajer Leverkusen dje barazoi 1-1 me Hamburgun në shtëpi. Për miqtë shënoi Vesterman, ndërsa për “aspirinat” barazoi Kiesling. Ky rezultat e lë skuadrën e Jup Heinkes 3 pikë para Bajernit, por diferenca e golave është dukshëm më e keqe. Për të shmangur pjesëmarrjen në turin paraeliminator, Leverkusenit i duhet një pikë në ndeshjen me Fraiburgun pas një jave. Në takimet e tjera të luajtura sot, Borusia Mynshengladbah mund të shpresojë ende te qëndrimi në Bundesligë, pas fitores 2-0 me Fraiburgun dhe humbjes 1-2 të Volfsburgut në shtëpi nga Kaizerslauterni.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›