E Diel, 1 Nëntor 2026

“Përmbushni detyrën ligjore, bojkotimi i KQZ-së, standard i papranueshëm”

08-04-2011 / Gazeta 55

Vëzhguesit Vendorë, thirrje opozitës. Rekomandime edhe për zgjedhjet e 8 majit

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë për zgjedhjet e 8 majit, i bën thirrje opozitës që anëtarët e KQZ-së të propozuar prej saj të marrin pjesë në punën e komisionit duke përmbushur detyrimin e tyre ligjor dhe qytetar. Rekomandimet janë bërë në raportin e parë për zgjedhjet e 8 majit të bërë publikë nga koalicioni. “Mbajtja e Zgjedhjeve Vendore të 8 majit 2011 u dekretua në një klimë politike mjaft të polarizuar, e cila ka nisur qysh prej Zgjedhjeve Parlamentare të 28 qershorit 2009 dhe kontestimit të ligjshmërisë së këtyre të fundit prej Partisë Socialiste dhe është përshkallëzuar progresivisht, duke u bërë gjithnjë e më konfliktuale gjatë gjithë kësaj periudhe. Në këtë situate tejet konfliktuale u anashkaluan afatet dhe zbatimi me korrektësi i Kodit Zgjedhor. Megjithëse nga radhët e opozitës ka pasur edhe deklarime/pretendime për mos-pjesëmarrje në zgjedhjet vendore të 8 majit, apo shtyrjen e zhvillimit të tyre duke i kushtëzuar më një sërë garancish, në datën 8 Mars 2011 opozita u regjistrua si subjekt elektoral garues për këto zgjedhje. Më datë 1 Prill u firmos një marrëveshje vetëm nga katër partitë e mazhorancës PD, LSI, PDIU dhe Partia Republikane. Partia Socialiste refuzoi firmosjen pasi, sipas saj, nuk ishin marrë parasysh propozimet e kryera prej saj. Në këtë marrëveshje vihen re pika të panevojshme, të cilat vendosin rolin dhe vullnetin e partive politike mbi atë të zbatimit të ligjit, si pikat mbi angazhimin për të zbatuar dhe respektuar ligjin apo kërkesat e Kodit Zgjedhor, ndërkohë që është element parësor detyrimi për të respektuar dhe zbatuar ligjin nga të gjithë aktorët, individë apo subjekte elektorale, në pushtet apo në opozitë. Pavarësisht se ligji i detyron anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të ushtruar detyrën e tyre në mënyrë të pavarur, konflikti politik ka përvijuar, në funksionimin e këtij institucioni, një anësim të theksuar politik. Qysh prej momentit të marrjes së vendimit për asgjësimin e fletëve të votimit të përdorura në zgjedhjet parlamentare të 2009, tre anëtarë të KQZ, respektivisht nën/kryetari dhe dy anëtarët e propozuar nga opozita, kanë braktisur vendet e tyre në komision madje vazhdojnë të mos jenë të pranishëm aty duke sjellë funksionimin e KQZ vetëm me anëtarët e propozuar nga shumica”, thuhet në raportin e vëzhguesve vendorë.
Pjesë e raportit ishte dhe trajnimi i komisionerëve të KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve, një proces i mbetur pezull për shkak të mos plotësimit nga opozita të rekomandimeve të KQZ-së për anëtarët e tyre në qendrat e votimit. Në rekomandimet për partitë politike, kërkohet që ato të angazhohen për një fushatë të qetë me etikë qytetare dhe konkurrim mbi platforma idesh dhe alternativash zhvillimi në funksion të qytetarit. Një tjetër pjesë e raportit ishte edhe roli dhe kontributi i deritanishëm dhe profesional i Policisë së Shtetit, dhe notat pozitive që kjo organizatë mori në proceset e fundit zgjedhore.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›