Përmbysja e imazheve

Berisha e mund Ramën në fushën e tij. Atë që e bëri Rama me Tiranën kur e mori drejtimin e Bashkisë, tani duket si një spektakël artistik dhe bojatisje e fasadave, në krahasim me projektet gjigante që i realizoi Berisha gjatë qeverisjes së tij. Për paradoks, përmbysja e imazheve realizohet me mjetet që shfrytëzonte Rama në kohën e sukseseve - propagandën mediatike të disenjuar në mënyrën më bashkëkohore
Nga Shkëlzen Maliqi
Ndryshimi u zgjodh për fjalë kryesore të
fushatës zgjedhore në Shqipëri. Sali Berisha me koalicionin e djathtë që
udhëhiqte, përpiqej ti bindte votuesit se Shqipëria tashmë po ndryshon dhe se
timonin e këtij ndryshimi e mban pushteti aktual në kërkim të mandatit të ri. Nga
ana tjetër, Edi Rama si lider kryesor i opozitës, i pari zgjodhi sloganin e
ndryshimit. Ai aludonte jo vetëm në dështimin e Qeverisë aktuale, por edhe të
tërë klasës politike që udhëhoqi Shqipërinë në periudhën e tranzicionit.
Rama, pra, godiste sa Berishën po aq edhe Nanon, Metën dhe protagonistët tjerë
të politikës së vjetër shqiptare të të gjitha ngjyrave, duke e kërkuar për vete
mandatin që ta ndryshojë vendin ashtu sikur që pretendonte se me vizionin dhe
angazhimin e tij tashmë e kishte ndryshuar kryeqytetin, Tiranën.
Qasja e Berishës, dhe e këshilltarëve të tij që e kanë konceptuar fushatën e
PD-së, ishte shumë më pragmatiste dhe më përtokë, në krahasim me
revolucionaritetin kryesisht retorik të Ramës. Slogani Shqipëria po ndryshon
targetonte një realitet më të kapshëm të ndryshimeve reale që kanë ndodhur në
Shqipëri gjatë viteve 2005-2009, të cilat i referoheshin projekteve të
avancimit të infrastrukturës së vendit, të funksionalitetit të shtetit, të
zhvillimit ekonomik dhe të luftimit të krimit dhe korrupsionit.
Në përgjithësi Berisha theksonte aspektet e rritjes së mirëqenies dhe të
sigurisë së brendshme, si dhe të sukseseve në integrimin e Shqipërisë në
organizatat ndërkombëtare, siç është anëtarësimi në NATO. Në gjithë këtë,
Berisha megjithatë tregohej i kujdesshëm që ndryshimet ti paraqiste si një
proces dhe projekt ende të papërfunduar. Kondicionali po ndryshon i sloganit
e sugjeronte këtë, duke u bërë njëkohësisht apel votuesve se Sali Berishës i
duhet të paktën edhe një mandat për ti përfunduar ndryshimet që do ta
stabilizonin përfundimisht Shqipërinë.
Poentat e tij ishin të logjikshme dhe të kuptueshme: ashtu sikur që e
anëtarësuam Shqipërinë në NATO, do ta bëjmë edhe anëtare të Bashkimit Evropian.
Ose: ashtu sikur që ndërtuam rrugën kombëtare Durrës-Morinë, do të ndërtojmë
edhe rrugët në akset tjera strategjike në jug dhe lindje të vendit, me çka do
ti jepej fund izolimeve të brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë dhe do të
krijohej perspektiva e zhvillimit më të shpejtë dhe më harmonik të vendit.
Për dallim nga Berisha, Rama është kapur për një platformë ndryshimesh që në
shikim të pare e kishte objektivin e qartë, por që në komunikim me opinionin
dhe subjektin që drejtonte, krijonte mjaft konfuzion dhe paqartësi. E orientuar
në denoncimin e kastës politike në pushtet, kjo platformë nuk godiste vetëm
kundërshtarin kryesor, Berishën, por edhe figurat tjera politike të kohës së
tranzicionit, duke përfshirë këtu edhe aleatët në koalicionin e majtë që kishte
krijuar (p.sh. Gjinushin), ose aleatët potencialë të ditës së parë pas
numërimit të votave.
Refuzimi që të krijohet një koalicion i madh i së majtës, që do ti barazonte
forcat e dy blloqeve, në mos edhe ti jepte përparësi të majtës, dukej
strategji e çuditshme dhe përsëritje e po atij gabimi që kishte bërë Nano në
vitin 2005, duke mos kërkuar rrugët e bashkëpunimit me Ilir Metën i cili kishte
ndarë një pjesë të PS-së. Rama në vitin 2005 ishte kritik ndaj qëndrimit miop
të Nanos, por tani po përsëriste edhe më me ngulm strategjinë përçarëse, duke
zhvilluar një fushatë agresive ndaj LSI-së dhe përkrahësve të Fatos Nanos, sa
edhe ndaj vetë Berishës. P.sh., në mitingje ai vazhdimisht deklaronte se vota
për Ilir Metën është votë për Sali Berishën!
Është e çuditshme se si ajo që edhe para një viti do të konsiderohej si
përparësi absolute e Ramës ndaj Berishës - modeli i suksesit të transformimit
spektakular të Tiranës, në tre muajt e fundit të zbehej, në mos edhe tretej
fare. Për më shumë, në këtë periudhë, sidomos pas anëtarësimit të Shqipërisë në
NATO dhe përkrahjes që merrte nga qendrat e mëdha botërore, Berisha në një
sfond më të gjerë të Shqipërisë ndërtoi imazhin e transformuesit të madh! Atë
që e bëri Rama me Tiranën kur e mori Bashkinë, tani duket si një spektakël
artistik, bojadisje e fasadave, në krahasim me projektet gjigante që i realizoi
Berisha gjatë qeverisjes së tij.
Kjo përmbysje e imazheve u realizua madje me po ato mjete që i shfrytëzonte
Rama në kohën e sukseseve të mëdha - propagandën mediatike të disenjuar në mënyrën
më bashkëkohore. Fushata e Berishës, imazhet dhe porositë që i dërgonte në
opinion ishin shumë më të fuqishme dhe depërtuese se ato të Ramës dhe dukej
ashiqare se ideatorët e kësaj fushate e kishin për qëllim që ta mundin Ramën në
fushën ku mendohej se ai do të ishte më superior. Rama thjesht nuk kishte tema
dhe qasje rezervë për ta baraspeshuar makinerinë e fuqishme propaganduese të
PD-së.
Edi Ramës nuk i ndihmoi as përparësia në kontrollin e mediave kryesore që
kishte. Në përgjithësi, opozita e tij mbeti e zbehtë dhe e rrudhur në disa tema
të konsumuara të katastrofës së Gërdecit, sulmet ndaj familjes së Berishës,
mbjelljen e frikës nga autokracia e tij dhe nga kasta e vjetër politike, në
kohën kur Berisha e kishte transformuar plotësisht sjelljen dhe imazhin e tij.
Avantazhi më i madh i Berishës është në atë se ai tani paraqitet si garant i
stabilitetit dhe zhvillimit të Shqipërisë, si njeri dhe politikan që ka vizion
dhe strategji të qartë, ndërkaq Rama dhe e majta paraqiten jo vetëm me mungesë
të unitetit, por edhe pa plan të qartë se çka duan dhe çka ofrojnë. Çështë
edhe më joproduktive, ata ngrisin tensionet në drejtimin që shoqëria shqiptare
nuk është në gjendje ti akceptojë, si ajo e kërkesës së Ramës që të përmbyset
e gjithë kasta politike e tranzicionit, ndonëse pjesë e kësaj kaste është edhe
vetë Rama.
Express