Jo politika, por ligji

Nuk ka dy të vërteta, por një. Agim Çeku më nuk duhet të frikësohet të udhëtojë jashtë Kosovës dhe Kroacisë. E, Interpoli duhet ti japë fund kësaj praktike patetike dhe të paligjshme të marrjes së fletë-arresteve nga gjykatat e kangurit. Lexuesit nga mbarë bota kanë të drejtë ta dinë këtë.
Nga Anna Di Lellio
Është shumë e duhur që kur një debat për lirinë dhe përgjegjësinë e medias
është duke u zhvilluar në Kosovë, që të fokusohemi në diçka që mund ketë ikur
nga vëmendja e lexuesve, gazetarëve dhe komentuesve të mediave: mbulimi i
thjeshtë i lajmeve për arrestimin e Agim Çekut nga mediat ndërkombëtare dhe
lokale.
Këtu, unë do të flas vetëm për shtypin ndërkombëtar, sepse u shtanga edhe një
herë se sa i cekët, joprofesional dhe në fund joinformues, ishte ai. Në shikim
të parë, asgjë nuk duket të jetë gabim. Lajmet janë prezantuar si një ngjarje e
qartë. Çeku udhëton në Bullgari; Çeku është arrestuar nga policia bullgare në
bazë të fletë-arrestit të Interpolit, me kërkesën e Beogradit që e akuzon për
krime lufte; Serbia e kërkon Çekun, si ish-Komandant të Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës, të gjykohet për përgjegjësinë komandues në gjenocid dhe vrasje; është
lëshuar një kërkesë për ekstradim; autoritetet e Bullgarisë vendosin, pas disa
ditëve, ta lirojnë Çekun por jo para presionit të madh diplomatik nga Republika
e Kosovës dhe vendet tjera mike të saj.
Të gjitha mediat raportojnë se kjo nuk është hera e parë që diçka e tillë i
ndodhë Çekut, ato na rikujtojnë neve që ai për shkurt ishte mbajtur nën arrest
në Slloveni në vitin 2003, në Hungari në vitin 2004 dhe më herët gjatë këtij
viti në Kolumbi. Ai gjithmonë ishte liruar së shpejti pas, siç kemi lexuar në
shtyp, presionit të fortë nga Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara të
Amerikës, ose figurat politike të mirënjohura sikurse Ministri i Punëve të
Jashtme të Francës, Bernard Kouchner.
Shkrimi është gjithmonë i njëjtë, sipas praktikës së gazetarisë cut dhe
paste. Dhe lexuesi, veçanërisht ai që nuk di asgjë për Kosovën, Serbinë ose
Çekun, lihet me përshtypjen që janë dy të vërteta: të Serbisë dhe atë të Çekut.
E para thotë se përmes sistemin të saj të drejtësisë dhe një agjencie
ndërkombëtare për zbatim te ligjit, që Çeku është fajtor për krime lufte dhe
duhet të mbahet në burg. Pohimi i Çekut për pafajësi është përkrahur vetëm nga
miqtë e fortë politikë. Në anën e parë është ligji, në të dytën, politika.
Gabim!
Atë që askush nuk lexon kudo në botë është se Kombet e Bashkuara nuk e njohin
juridiksionin e gjykatave të Serbisë për krimet e luftës në Kosovë; që Gjykata
e Qarkut e Prishtinës e rivendosur në Nish pas luftës është një institucion
ilegal; që nuk mund të ketë asnjë hetim serioz nga autoritetet serbe për
pretendimet se Çeku ka kryer krime lufte në Kosovë; dhe e fundit, por jo më pak
e rëndësishme, është se gjykatësja hetuese në Gjykatën e Nishit, që ka ngritur
padinë është Danica Marinkovic.
Duket qenë se nuk jam nga Kosova, nuk e kam njohur gjykatësen Marinkovic dhe
bëra një hulumtim, pasi mendoj që çdo gazetar që e quan veten një gazetar do të
duhej ta bënte në këso rastesh. Në vitin 2002, derisa ajo ishte e zënë duke e
paditur Çekun, ajo gjithashtu ishte e zënë duke i mbrojtur dy oficerë të
policisë së Serbisë të përmendur nga Natasha Kandic nga Qendra për Drejtën
Humanitare, në lidhje me vrasjen e Fehmi Aganit. Marinkovic i ka thënë Kandicit
se këta dy oficerë kanë kryer detyrat e tyre me nder dhe Agani ishte vrarë
nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Në një opinion të publikuar nga B92 më 8 mars 2002, Kandic shkroi që Më 6 maj
1999, në ditën e vrasjes së Aganit, Predrag Nikolic dhe Zoran Dzeletovic kanë
vrarë pesë anëtarë të familjes Blakqori - Miradijen (54), Fehmiun (60), djalin
e tyre Labinotin (14), Mahmutin (56), dhe gruan e tij Sabilen (59) në
hekurudhën nga Lipjani drejt Fushë-Kosovës. Departamenti i Policisë së
Prishtinës ka ngritur padi penale kundër Nikolic dhe Dzeletovic si dhe ndaj
Ivan Ivanov, kolegu i tyre polic, më 27 maj 1999 (Ku.br.546/99). Dokumentet
përcjellëse, përfshirë kërkesën e prokurorit për një hetim, vendimin për të
filluar hetimet dhe urdhrat për paraburgim, janë hequr ose shkatërruar nga
Serbia.
Për të gjithë që janë të interesuar të lexojnë më shumë, opinioni i Kandicit në
ueb sajtin e B92 është në dispozicion. Ajo argumenton që ka fakte të plota
lidhur me përgjegjësinë e Marinkovic në vrasjen e familjes Ahmeti në Likoshan,
në shkurt 1998.
Me fjalë të tjera, është gjykatësja, dhe jo Çeku, ajo që duhet të gjykohet për
krime lufte. Përveç gjithë kësaj, nuk ka pasur padi apo hetime lidhur me Agim
Çekun në Hagë. Nëse do të kishte, ne do të dëgjonim nga Carla Del Ponte, apo
jo?
Konkluzioni pas kësaj kolumne të shkurtër është se nuk ka dy të vërteta por
një. Çeku më nuk duhet të frikësohet të udhëtojë jashtë Kosovës dhe Kroacisë, e
Interpoli duhet ti japë fund kësaj praktike patetike dhe të paligjshme të
marrjes së fletë-arresteve nga gjykatat e kangurit. Lexuesit nga mbarë bota
kanë të drejtë ta dinë këtë.
Express