E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbysje e Çelsit, Napoli i jep lamtumirën Evropës

ANGLI- Merr fund ëndrra e Napolit për një vend në çerekfinale të Champions League. Ndeshja e kthimit e të tetave të finales ka përfunduar me fitoren 4-1 të Çelsit, pas 120 minutave dramatike të mbushura me emocione dhe spektakël. Në "Stemford Brixh" është zhvilluar një betejë e pabesueshme, me londinezët e Di Mateos që kanë arritur të përmbysin humbjen 3-1 në Itali, duke mos munguar as këtë vit mes 8 më të mirave të Evropës. Ka qenë një ndeshje e çmendur ajo e mbrëmshmja, me Napolin që ka qenë shumë pranë historisë, por që në fund është ndalur nga disa gabime foshnjarake në mbrojtje. Përpos eliminimit, skuadra e Maxarrit del nga kompeticioni më i rëndësishëm europian për klube me kokën lart, pasi përballë kishte një ekip ekspert të Champions League. Koha e rregullt ka përfunduar po aq sa në "San Paolo", 3-1, ndërkohë që ndeshja është vendosur në kohën shtesë, nga një gol i Branislav Ivanoviç, që ka shfrytëzuar dobësitë në mbrojtje të Napolit për të shënuar një gol vendimtar. Gjithsesi, Çelsi ka merituar gjithçka për atë çfarë ka treguar në fushë, ndërsa napoletanët dalin nga Evropa me kokën lart, pasi u kualifikuan në një grup ferri me Mançester Sitin, Bajernin dhe Vilarealin. Çelsi ndërkohë bëhet skuadra e vetme angleze që arrin në çerekfinale, duke qenë se Mançester Junajtid, Mançester Siti dhe Arsenali ishin eliminuar.

NDESHJA
Takimi i mbrëmshëm ka nisur me një Çelsi agresiv, që ka kërkuar me ngulm golin. Napoli ndërkohë nuk ka qëndruar në mbrojtje, duke kundërsulmuar vazhdimisht në një mënyrë të rrezikshme. Por, mbulimi i Edinson Kavanit ka qenë perfekt nga ana e Ivanoviç dhe Xhon Territ, që nuk e kanë lejuar për asnjë moment uruguajanin të dilte para portës së Çeh. Në minutën e 28-të, Didier Drogba ka zhbllokuar shifrat pas një goditje standarte, duke rihapur sfidën. Ndërkohë, 2 minuta nga starti i pjesës së dytë, ishte Xhon Terri ai që realizoi golin e dytë, duke devijuar saktë me kokë një goditje këndi të Lampard. Gjërat dukeshin në kahun e duhur për skuadrën e italianit Di Mateo, por Gokhan Inler e kthen sërish rezultatin në favor të Napolit, me një gol mjaft të bukur të minutës së 55-të. Ishin këto momentet më të bukura të italianëve, që kanë krijuar edhe disa mundësi të tjera, por të pashfrytëzuara. Çerek ore përpara fundit, Dosena ndal me dorë një goditje në zonë dhe arbitri nuk ngurron të fishkëllejë penallti. Frenk Lampard nuk fal, duke realizuar golin që i ka çuar skuadrat në shtesë. Këtu gjërat marrin një tjetër rrjedhë. Në fillim është Torres, që ka një top të artë, pas daljes së gabuar të portierit De Sanktis, por sulmuesi spanjoll gabon. Në minutën e 105-të, Çelsi shënon sërish, këtë herë me Ivanoviç. Nga një gabim i Garganos, përfiton Drogba, që fut një top në zonë për Ivanoviç dhe ky i fundit shënon. Ishte goli i nokautit për Napolin, që më pas ka sulmuar me forcën e dëshpërimit, por pa arritur të realizojë.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›