E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot 4 vjet nga tragjedia e Gërdecit, asnjë i dënuar për vrasje

TIRANË- Sot mbushen 4 vjet nga tragjedia e 15 Marsit në Gërdec, 15 km larg nga Tirana kur pas shpërthimit të një fabrike të demontimit të armëve humbën jetën 26 persona, mes të cilëve gra e fëmijë. Nga shpërthimi u plagosën mbi 300 persona dhe u dëmtuan biznese e banesa të zonës.

Pas një kalvari të gjatë seancash, Gjykata e Shkallës së parë 3 ditë (më 12 mars) para përvjetorit të tragjedisë dha vendimin për 29 të pandehurit e dosjes ‘Gërdeci’, ku asnjë nga 29 të akuzuarit nuk u dënua për akuzën e vrasjes.

Sipas vendimit të gjykatës, ish-përgjegjësi i fabrikës së armëve të demontimit që shpërtheu më 15 mars të vitit 2008 në Gërdec u dënua me 18 vjet burg, ish-drejtori i MEICO, Ylli Pinari po me 18 vjet burg, kurse administratori i fabrikës Alba-Demil, Mihal Delijorgji me 10 vjet burg.

Pas vendimit familjarët e viktimave reaguan ashpër, ndër to edhe Zamira Durda, e cila humbi tragjikisht djalin e saj në shpërthimin në ish- fabriken e demontimit të municioneve në Gërdec.

Gjatë gjithë kësaj kohe opozita nuk ka reshtur së akuzuari qeverinë si “qeveri e Gërdecit” dhe fajtore për tragjedinë e ndodhur.
(el.me/BalkanWeb)
Lidhje te tjera 'Gërdeci', nga 18 vjet burg për Pinarin e Minxollin, 10 vjet për Delijorgjin Dënimet për ‘Gërdecin’, Zamira Durda vajton në gjyq fëmijën e vrarë Familjarët e viktimave: Drejtësia dështoi, nuk zbuloi kush vrau në Gërdec

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›