Fjala në trupin e Kadri Roshit
Më lejoni si një nga partneret e Kadri Roshit, të shpreh kujtimet e mia. E kam njohur që në fillimet e para të artit skenik të fjalës që zë fill në janar të 1945 me hapjen e shkollës së parë dramatike për të pregatitur kuadrot e para të teatrit shqiptar. Që në atë shkollë spikati talenti i tij. Artisti i skenës, i filmit, regjisor dhe pedagog, i kompletuar me teknikën e plotë si rezultat i arsimit apo rritjes profesionale, si rezultat i një pune që vështirë të deshifrohet në një takim si ky.
Artisti i madh Kadri Roshi u shqua për punën, për intelektin, për shkërmoqjen që i bënte materialit dramaturgjik dhe për forcën e madhe transmetuese të tijën duke ia servirur spektatorit ashtu siç donte ai të thotë me figurën e tij artistike gjithmonë brenda platformës regjisoriale. Ai, brumin e autorit e materializon në skenë për hobet dhe qëllimet e tija. Kështu materiali i shkruar kthehet në një figurë konkrete skenike ku mishërohet qëllimi i autorit, qëllimi i regjisorit dhe i aktorit. Këtë qëllim aktoresk e gjejmë të përsosur në personazhet e panumërta të Kadri Roshit.
E veçanta që vlen të përmendet është fakti që teoricienët e mëdhenj që studioheshin në atë kohë u kthyen në një brumë të cilin ai e fut brenda origjinalitetit të tij si në formë dhe në përmbajtje. Këtu qëndron mrekullia Roshi. Ai shprehej gjithmonë se për të fjala në vetvete nuk ka asnjë rëndësi, por ka rëndësi ajo që fshihet prapa saj. Le të kujtojmë dy batuta tek Lulëkuqet mbi mure: Hani, hani. Dy fjalë të vetme, por çnëntekst i thellë, çqëndrim emocional, çparalajmërim.
Spektatori gajaset edhe sot kur i dëgjon. Pse qesh ai, ato janë vetëm dy fjalë. Por ai qesh me virtuozitetin e artistit për të nxjerrë në pah nëntekstin e atyre dy fjalëve dhe shpirtin apo mllefin e kujdestarit sadist që duke mos ja dalë dot çunakëve të pabindur ua zë bukën në fyt. E gjithë kjo botë emocional zbulohet para nesh vetëm me dy fjalë. E mora këtë shembull për të dalë tek mendimi se interpretimi i tij duhej me kohë të ishte studiuar, zbërthyer dhe nxjerrë përgjithësime për artin skenik shqiptar.
Ka qenë fat për mua të luaj shumë role me Kadri Roshin. E njoh shumë mirë punën e tij, për këtë arsye nuk do të lë pa përmendur një karakteristikë të tij në prova. Pranonte vërejtje nga kushdo dhe nga studentët e tij. Përqendrohej në të dëgjuar si para një profesori të madh, i kërkonte, i vidhte vërejtjet, pastaj i analizonte, i verifikonte në prova dhe ato që nuk i duheshin i hidhte në kosh. E përmenda këtë fakt pasi shumë artistë nuk pranojnë vërejtje, duan elozhe, por artistët e mëdhenj nuk i tremben kritikës, e merrnin atë kur iu vlente apo e përplasnin hapur duke e dërrmuar. Çdo aktor ka të veçantën e vet, por shembulli Kadri Roshi vlen të evidentohet për të frymëzuar dhe nxitur zhvillimin e kritikës skenik e cila sot është shumë larg nga ajo e dikurshmja.
