Përmbysjen e sjell vota
TIRANE - Me këtë shkatërrim që Saliu po i bën ekonomisë, po prite deri në zgjedhjet e ardhshme do të të duhet t’i ngresh taksat në të gjithë tabelën, e jo t’i ulesh!! Kë prite shumë gjatë, mos prit edhe më gjatë, jepi drejtim se ke ra klluke duke ngrohur vezët. Mosbindje civile është zgjidhja për mendimin tim, pastaj vijmë tek taksat”, - ka shkruar Elin Bah në një nga komentet e kësaj teme duke m’u drejtuar mua. E shkëputa këtë koment sepse dëshirova të them ca gjëra, nisur edhe nga fakti se ndër blogje lexoj shumë “revolucionarë” të dëshpëruar që na kërkojnë një përmbysje të madhe, po e duan ndenjur para televizorit a duke kërkuar me kompjuter që ta bëjnë të tjerët. Në fakt përmbysja e madhe, e domosdoshme për Shqipërinë, mund të ndodhë vetëm nëse gjithsecili bën detyrën e tij e unë mundohem ta bëj timen pa harruar asnjë sekondë çfarë i duhet vendit, pa u kursyer në kohën e në energjitë e mia për të bërë më të mirën, pa shkelur në asnjë rast mbi bindjet e mia. Dhe bindja është se përmbysjen e domosdoshme e sjell vota, vota masive, vota që kapërcen malin e manipulimeve e të poshtërsive të pushtetit, vota që mblidhet nga të gjithë ata që duan përmbysjen, jo vetëm duke dalë vetë në votim, po duke marrë edhe të tjerë për dore, familjarë, miq, të afërm, fqinj, vota që s’pyet për “por”, “po ja”, “po edhe këta”, “po se mos ata”, “po dale ta shohim”, “po prapë njëlloj janë”, po “bla-bla-bla”, vota që rritet me rezistencë qytetare, me protestën e thjeshtë të gjithkujt që s’e ul kokën, me reagimin e gjithsecilit ndaj së keqes që po hyn thellë e më thellë. Më vjen mirë që nisma për heqjen e TVSH-së së bukës, qumështit, vezëve e ilaçeve dhe për uljen e TVSH-së së ushqimeve bazë në përgjithësi pritet mirë, e kuptoj edhe skepticizmin e disave që janë shprehur sinqerisht në këtë diskutim, por mbetet me rëndësi të kuptohet se opozita është alternativë, është një mundësi e re, është një shpresë që duhet ushqyer nga të gjithë, jo një çetë e armatosur që zgjidh për ata që rrinë para televizorit apo mjaftohen me të shkruarit në blogje problemin e heqjes së TVSH-së më të lartë siç e ka thënë bukur dikush në këtë bisedë, TVSH-së së Saliut. Që TVSH-ja e mbajtjes së Saliut në kurriz është taksa më e pallogaritshme e këtij populli as që diskutohet, po për heqjen e asaj takse opozita s’mund të bëjë përveçse këtë që po bën, duke i treguar popullit sesi ajo do të qeverisë falë votës. I takon popullit të zgjedhë nëse do të votojë kur të vijë dita e zgjedhjeve apo nëse do ta përshpejtojë me vullnetin e tij sovran ardhjen e asaj dite për të hequr nga shpina TVSH-në e padurueshme të qëndrimit të Saliut në pushtet. Opozita ka qenë, është e do të jetë gjithnjë me popullin, ne nuk po presim as gjatë as shkurt, thjesht po bëjmë të gjithë sa e si mundemi detyrën tonë, duke besuar se nuk jemi ne që e vendosim kur derdhet kupa e mbushur e marazit popullor prej padrejtësive, po është vetë dhe vetëm populli.
(GSH/BalkanWeb)
(GSH/BalkanWeb)