Durrësi dhe Vlora përmbyten nga reshjet
DURRES/VLORE - Reshjet e mëdha të shiut që u zbrazën në Durrës, të shoqëruara edhe me uljen e ndjeshme të temperaturave, na kujtuan të gjithëve se “Dita e Verës” është vetëm një festë pagane dhe asgjë më shumë, pasi dimri është ulur sërish këmbëkryq. Gjatë ditës së premte qyteti i Durrësit i ka ngjarë versionit më të shëmtuar të Venecias, teksa rrugët e tij u shndërruan në lumenj, në ujin e të cilëve “lundronin” së bashku plehra urbane, fekale apo minj të ngordhur. Një situatë të tillë, e cila është përsëritur shpesh këtë dimër, e kanë vuajtur në radhë të parë nxënësit e shkollave, kryefamiljarët që nxitonin për në punë apo edhe shtëpiaket që dolën për të bërë pazarin në tregun e qytetit. E rënduar është paraqitur situata edhe në portin më të madh të Shqipërisë, i cili ka bllokuar punën për orë të tëra. Anijet kanë kyçur hambarët për të shpëtuar pa lagur ngarkesën, ndërsa tragetet kanë shënuar vonesa. Deti Adriatik është përfshirë nga një valë e fortë ere, e cila ka sjellë valëzime të detit deri në 5 ballë në pjesën shqiptare dhe më të larta në bregdetin e Apenineve. Sipas Kapitanerisë së Durrësit nuk pritet përmirësim i kushteve të motit, të paktën deri në datën 22 mars. Në këtë mënyrë trafiku detar nuk do të funksionojë rregullisht, pasi do të jetë në varësi të forcave madhore të natyrës. Moti i keq ka përfshirë dhe Vlorën që në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Reshje shiu në qytet, erë e fuqishme që shkaktoi dallgë të mëdha në det e reshje dëbore në Llogara. Tragetet e linjës Brindizi-Vlorë kanë pasur probleme në ankorim dhe pas shumë përpjekjesh kanë mundur të zbresin pasagjerët, por të kthehen pas bosh, për shkak të kohës së keqe. Gjendje e rëndë paraqitej dhe në qytet. Në disa zona uji ka arritur në lartësinë rreth 20 apo 30 cm, duke e bërë të pamundur kalimin e këmbësorëve. Edhe pse hidrovori i qytetit nuk ka ndalur asnjë moment punën për thithjen e ujërave, problemi qëndron në bllokimin e kanalizimeve, të cilat gjithmonë kanë shkaktar përmbytje masive në zona të ndryshme të Vlorës. Si pasojë e stuhisë, dy lagje të qytetit kanë mbetur pa energji elektrike gjatë ditës së djeshme. o.u/q.b