E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytet nga plehrat liqeni i Shkodrë

05/11/2009  Vendorët nuk realizojnë pastrimin dhe bizneset hedhin mbetjet përreth. Turizmi në pikë kritike

VIRTYT ABDYLI

SHKODER- Banorët e zonës turistike Shirokë-Zogaj, pranë liqenit të Shkodrës, kërkojnë ndërhyrjen e Bashkisë së Shkodrës për heqjen e mbeturinave që kanë “populluar” gjithë territorin. Ata shprehen të shqetësuar për indiferencën që po tregohet ndaj grumbullimit të sasive të mëdha të mbeturinave në këtë zonë.

Mbeturinat

Pothuajse i gjithë bregu i liqenit të Shkodrës, nga ura e Bunës deri në fshatin turistik të Zogajt, këto ditë ngjan me një vend grumbullimi mbeturinash, duke ndikuar si në ndotjen e ambientit dhe të ujit, ashtu dhe në largimin e atyre pak turistëve të huaj të kësaj stine, pa harruar vizitorët e përjavshëm të qyteteve të tjera. Sipas banorëve të Shirokës, në shtimin e papastërtive në këtë zonë turistike, ka ndikuar jo vetëm heqja jo e rregullt e tyre nga ana e Bashkisë, por edhe shtimi i numrit të lokaleve gjatë gjithë vijës liqenore, punonjësit e të cilëve gjejnë rrugën më të shkurtër bregun e liqenit, duke e përdorur atë si një pikë e lehtë e hedhjes së mbeturinave. Sipas banorëve të Shirokës, shkak i këtyre mbeturinave është bërë mosmarrja e masave të duhura jo vetëm për largimin e mbeturinave të zonës, por edhe për pastrimin e liqenit të Shkodrës, uji i të cilit ka nxjerrë në breg tonelata të tëra mbeturinash, të ardhura jo vetëm nga qyteti i Shkodrës, por edhe nga fshatrat e zonës së Malësisë së Madhe, rreth ky që shtrihet përgjatë anës tjetër të këtij liqeni. Përveç këtyre faktorëve, vazhdojnë banorët, në shtimin e papastërtive në këtë zonë turistike, ka ndikuar shtimi dhe moskontrollimi i numrit të shumtë të lokaleve përgjatë gjithë vijës liqenore, punonjësit e të cilëve, për shkak të mangësive në vend hedhjen e mbeturinave dhe injorancës së tyre gjejnë rrugën më të shkurtër, bregun e liqenit. Shtimi i mbeturinave në Shirokë-Zogaj, vjen në një kohë kur liqeni i Shkodrës gëzon statusin zonë e mbrojtur Ramsar, si dhe zonë me përparësi turistike në të gjitha stinët. Banorët e kësaj zone turistike sjellin në kujtesë dhe udhëzimet e Kryeministrit Berisha për t’i dhënë përparësi zhvillimit të turizmit në vendin tonë dhe veçanërisht në Shkodër, por që nuk po merren parasysh siç duhet nga përgjegjësit e pastrimit të kësaj zone. Situata është e tillë në një zonë që ndodhet vetëm në një distancë prej rreth 4 kilometrash nga pjesa tjetër të qytetit të Shkodrës. Kjo “largësie madhe”, po sjell rrallë automjetet dhe punonjësit e saj për pastrimin e mbeturinave, shprehen me ironi banorët e Shirokë-Zogajt.

Turizmi

Mospastrimi siç duhet i kësaj zone turistike po e dëmton jo vetëm ambientin, por edhe ekonominë e banorëve, të cilët mbahen më kryesisht me tregtimin e peshkut, të artikujve të ndryshëm për vizitorët, të cilët tashmë janë njohur me bukuritë e virgjëra të kësaj zone, si dhe me ajrin e pastër dhe kurues të shumë sëmundjeve në rrugët e frymëmarrjes. Në këtë stinë pritet ardhja edhe e shumë vizitorëve të huaj, kryesisht nga shtetet e ish-Jugosllavisë, të cilët do të shfrytëzojnë varkat e banorëve për të shëtitur në liqenin e mrekullueshëm të Shkodrës, si dhe do të shpenzojnë paratë për shërbimet në këtë zonë, duke ndikuar kështu dhe në rritjen ekonomike të zonës. Por me këtë pamje që të ofron sot bregu i liqenit, shprehen banorët, vizitorët vendas apo të huaj jo vetëm që nuk do të preferojnë të qëndrojnë gjatë, por do të ndikojnë negativisht dhe tek turistët e tjerë në Mal të Zi, të cilët vazhdimisht kanë vizituar zonën turistike Shirokë-Zogaj.

Të ndodhur para një situate të tillë banorët e Shirokës i bëjnë apel institucioneve përkatëse për pastrimin e zonës, në mënyrë që jo vetëm të dalin në pah vlerat e liqenit të Shkodrës, por të ndikohet dhe shfrytëzimin në maksimum të tyre, pasi do të ndikojnë në uljen e varfërisë absurde të banorëve të një zone turistike. Hedhja e mbeturinave po ndodh edhe pse punonjësit e Bashkisë Shkodër shpesh kanë marrë e masa ndëshkuese edhe ndaj subjekteve, të cilat gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre, shkaktojnë ndotjen e bregut të liqenit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›