E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Lushnjës më 21 tetorit 1943

05/11/2009   Më 21 tetor të vitit 1943 në qytetin e Lushnjës ishin mbledhur krerët e Ballit Kombëtar të Shqipërisë së Mesme për të shqyrtuar gjendjen e krijuar. Me tu informuar për këtë ngjarje, brigada kriminale komuniste, me komandant kriminelin Mehmet Shehu, që ndodhej atë ditë në Dumre, vendosi të sulmojë Lushnjën për të asgjësuar udhëheqësit e Ballit Kombëtar që ndodheshin atje.

Ne katundin Golem forcat partizane u përplasën me forcat e Isa Manastirliut, të cilat kishin në përbërje të tyre rreth 400 veta. Shumica e këtyre njerëzve ishin nga krahinat e Myzeqesë. Mbas një përpjekjeje që nuk zgjati shumë, mbetën të vrarë 12 ballistë. Duke parë se numri i njerëzve ishte i paktë si dhe mosdëshira që të bënin luftë vëllavrasëse, drejtuesit e çetës së Ballit i urdhëruan njerëzit e tyre ti ulnin armët.

Komandanti i tyre, Isa Manastirliu, me një pjesë të forcave arriti të çante rrethimin e forcave kriminale komuniste dhe ti drejtohej qytetit të Lushnjës. Qëndresa e ballistëve si dhe sjellja e tyre njerëzore, pasi, siç e thamë pak më parë, ata nuk dëshironin luftë vëllavrasëse, e tërboi komandantin kriminel komunist Mehmet Shehu, i cili i xhindosur kërkoi ti pushkatonte të gjithë nacionalistët, që ulën armët dhe në mënyrë të pabesë u konsideruan nga komunistët si robër lufte. Edhe të tillë, po të ishin, robërit nuk vriten. Kohë më pas ish-komandanti i njërit nga batalionet e Brigadës I komuniste të asaj kohe, Xhelal Staravecka, ka shkruar se pushkatimet u bënë me urdhrin e drejtpërdrejtë të Mehmet Shehut dhe Dushan Mugoshës (me pseudonimin “Sali Murati”). Në Matjan mbetën të vrarë 67 burra shqiptarë, të gjithë anëtarë të Ballit Kombëtar, të cilët donin një Shqipëri pa ideologji, pa diktaturë, pa komunizëm, ata kërkonin një Shqipëri të lirë dhe demokratike, një Shqipëri etnike të bashkuar dhe të vëllazëruar.

E pikërisht në datën 21 tetor, plot 66-vjet pas masakrës së Matjanit, partia “Balli Kombëtar” organizoi një ceremoni, duke ngritur për këtë rast edhe një pllakë përkujtimore për nder të dëshmorëve të masakrës së Matjanit të kryer nga krimineli Mehmet Shehu me brigadën e tij kriminale.

Në takim merrnin pjesë të afërmit e familjeve të dëshmorëve të Ballit Kombëtar, banorë të fshatit e të zonave përreth, qytetarë të Lushnjës, të ftuar nga Tirana e nga rrethe të tjera të vendit. Merrte pjesë në këtë takim edhe kryetari i partisë “Balli Kombëtar”, zoti Adriatik Alimadhi, së bashku me kryesinë e kësaj partie. Në fjalën e tij zoti Alimadhi përshkroi ndjenjat e thella patriotike të popullit të Matjanit, të cilët si në vitet e luftës kundër pushtuesve, ashtu edhe në ditët e sotme janë rreshtuar në krah të së vërtetës së partisë “Balli Kombëtar”.

1. Ndoni Sako

2. Fani Trungu

3. Gori Todi

4. Jani Gjeka

5. Jorgji Gjoni

6-Jorgji Lala

7. Kozma Zhuka

8. Nasi Zhuka

9. Koli Tashi

10. Kristo Shkoza

11. Loni Bita

12. Llazi Prifti

13. Lili Shkoza

14. Mihal Bita

15. Nasi Janko

16. Nasi Sako

17. Nasi Zaho

18. Perikli Prendi

19. Pali Zaka

20. Ristan Bani

21. Simon Gjini

22. Stefan Prendi

23. Trifon Gjeka

24. Trifon Gjoni

25. Todi Gjurgji

26. Vasil Perboti

27. Myslym Bedalli

28. Ram Koçi

29. Bajram Jeshili

30. Mehdi Pirra

31. Bajram Pepa

32. Ruho Nako

33. Hysen Dupi

34. Arif Muço

35. Rakip Xhepa

36. Shaqir Sula

37. Elmaz Xhepa

38. Çaush Xhepa

39. Latif Karafili

40. Shaban Sina

41. Asllan Vrapi

42. Hysen Ismaili

43. Muharrem Meshani

44. Bajram Bilbili

45. Ismail Koçiu

46. Muhamet Kasmi

47. Alush Kasmi

48. Shemsi Arapi

49-Skënder Arapi

50. Sabri Bullari

51. Beqir Cani

52. Haxhi Sina

53. Tafil Lluzha

54. Ibrahim Lluzha

55. Arif Halili

56. Kadri Murrizi

57. Ismail Murrizi

58. Hysen Murrizi

59. Haxhi Murrizi

60-Ymer Bullari

61. Gaqi Ndoni

62. Ndini Ndoni

63. Isuf Buzi

64. Shyqyri Leka

65. Ramazan Kofsha

66. Shefik Tota

67. Gori Lala

Nderim të rënëve për mbrojtjen e shqiptarizmës

Adriatik Alimadhi

E ndiej veten krenar ti bëj homazh jetës dhe veprës së 67 martirëve nacionalistë, të 67 burrave që me aktin e tyre burrëror 66 vjet më parë u shndërruan në promotorë të lëvizjes antikomuniste shqiptare. Kjo lëvizje mbarëkombëtare, edhe pse u dënua në vitet që rrodhën më pas, ka qenë dhe mbetet dëshmia më e shkëlqyer e shqiptarëve, që dëshironin të bënin pjesë në familjen e qytetëruar europiane dhe jo të binin pre e eksperimenteve të komunizmit ortodoks rus.

Jemi sot këtu te ky fshat, dikur pa emër, sot me një histori të dhimbshme, është një nga kasaphanat më të mëdha të brigadave kriminale partizane të Nacionalçlirimtares vrasja e 67 nacionalistëve Lushnjarë. 66 vjet më parë, pikërisht më 21 tetor 1943, Lushnja u shndërrua në sheshbetejën e asaj lufte vëllavrasëse, që e vërteta historike e konsideron si një kasaphanë të vërtetë, ku për fat të keq nuk munguan viktimat nga të dy krahët. Tragjedia e shqiptarëve pati nisur menjëherë pas Mukjes dhe fitilat e këtij zjarri që përvëlonte gjokset e zhuritura të nënave shqiptare, pa dyshim që i ndiznin Mugoshët dhe Popoviçët. Këta ustallarë të ardhur prej Beogradit u jepnin detyra nxënësve të tyre, Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, duke i detyruar brigadat partizane të derdhnin gjak të kulluar shqiptarësh. Nacionalistët Lushnjarë me jetën dhe veprën e tyre i treguan doktrinës komuniste se ata në asnjë mënyrë nuk mund të pajtoheshin me këtë ideologji, madje pranuan të bëheshin edhe derra, por vetëm komunistë kurrë, sepse e patën kuptuar çfarë sëmundje kanceroze ishte komunizmi dhe çfarë të keqe do ti sillte ai kombit të tyre.

Në fund të fundit, nacionalistët Lushnjarë e patën kuptuar se morali dhe përgjegjësia historike e shqiptarëve nuk kishte asgjë të përbashkët me Lindjen komuniste; përkundrazi, patriotët shqiptarë qysh me shpalljen e shtetit të parë shqiptar më 28 nëntor 1912 e orientuan kombin e tyre drejt familjes së madhe të Evropës moderne dhe perëndimore.

Masakra komuniste këtu në Lushnjë nuk ishte rastësi, kjo masakër gjithashtu nuk mund të merret e shkëputur nga konteksti historik. Vetëm një muaj pas marrëveshjes së Mukjes Konferenca e Labinotit, e dominuar prej klikës së Beogradit, e dënoi ashpër këtë marrëveshje dhe, nga ana tjetër, dha udhëzime të prera për të filluar luftën kundër nacionalizmit të kulluar shqiptar.

Dokumentet që ne disponojmë flasin qartë se pikërisht ky ka qenë fillimi i luftës vëllavrasëse, ku kreu i klikës komuniste shqiptare, E. Hoxha, në një qarkore për të gjitha shtabet e nacionalçlirimtares udhëzonte prerë që forcat e Ballit Kombëtar të luftoheshin me tërbim.

Si rrjedhojë e këtij veprimi politik dhe ushtarak tipik mafioz, ndodhi 66 vjet më parë edhe masakra makabre ndaj 67 nacionalistëve Lushnjarë.

Në këtë mënyrë, 21 tetori i vitit 1943 është një datë që tregon qartë krimet, masakrën që brigada kriminale e nacionalçlirimtares ka kryer ndaj patriotëve Lushnjarë.

Më lejoni, të nderuar të pranishëm, vazhdues të nacionalizmës shqiptare, të vazhdoj të paraqes përpara jush dhe të bëj me dije edhe opinionin publik shqiptar krimet, masakrat që kanë kryer brigadat kriminale partizane të nacionalçlirimtares në të gjithë Shqipërinë.

Duke iu referuar gazetës “Flamuri”, organ i partisë “Balli Kombëtar”, të datës 10 gusht të vitit 1944, këto krime e kishin fillimin në datën 9.09.1943 në Devoll, ku u masakruan 6 nacionalistë me në krye shqiptarin nga Kosova Zia Gashi së bashku me Hadi Kazimatin, të cilëve u prenë kokën dhe duke u thënë “pa çohu, komandant, dhe na komando ushtarët e tu një-dy”, duke i gjuajtur me këmbë kokat e prera si top futbolli.

Komunistët më datën 14 shtator të vitit 1943 tradhtuan çetën e Hysni Lepenicës, duke vrarë 35 komandantë çetash, të cilët në bashkëpunim me italianët përgatitën edhe masakrën e Grehotit. Si sot 66 vjet më parë brigada kriminale e kriminelit Mehmet Shehu sulmoi çetën e Ballit Kombëtar të drejtuar nga Isa Manastirliu dhe këtu në këtë vend masakruan 67 ballistë. Mehmet Shehu, ky kriminel kundër çdo rregulli dhe ndjenje njerëzore, jep urdhër për ti pushkatuar këta shqiptarë që luftonin vetëm për Shqipëri. Dhe çishte më e pa besueshmja, u mohon atyre që ende su kishte dalë shpirti atë që quhet “coup de grace”, me revolver i detyroi ekzekutuesit që ti therte me thika (!). E pra, e lypte nevoja! Për çfarë? A nuk ishin shqiptarë?

Në Gjirokastër vrasin avokat Emin Kokolarin, Tajar Çarçanin, Qemal Bejlerin. Një episod që të bën të dridhesh, që kapërcen edhe fantazinë më të pafrenueshme ndodh në spitalin e këtij qyteti: katilët komunistë marrin nga shtrati, ku lëngonte pa shërim, edhe pse i plagosur rëndë, patriotin Xhaferr Alushi dhe e ekzekutojnë përpara të sëmurëve të tjerë.

Më datën 8.10.1943 në Vlorën kreshnike kriminelët komunistë vrasin me atentat djaloshin dhe pinjollin e një familjeje atdhetare, njëkohësisht sekretar e rinisë së Balli Kombëtar, Haziz Sharrën. Pse e vranë pas shpine dhe e shtrinë përdhe? Çfarë kishte bërë? Edhe ky nuk ishte shqiptar.

Përsëri në Gjirokastër bëjnë viktima të terrorit komunist më 18.11.1943 Sefedin Haderin, Boco Kalon (70 vjeç), Prof. Taro Kalon, Myzafer Shehun bashkë me të birin 15 vjeç, Vasil Shahinin, Dino Maton dhe Hajro Laton. I lypte nevoja që të gjithë këta njerëz të mbyteshin pa pikën e mëshirës! A nuk ishin shqiptarë?

Sërish në Korçë çeta komuniste e kryesuar nga Agush Gjergjvica kapën në 13 shtator 1943 Xhevdet dhe Bexhet Bulgarecin, i pari kryetar dhe i dyti pjesëtar i çetës së Ballit Kombëtar. Këta dy djem nacionalistë dhe idealistë u masakruan në mënyrën më barbare: u prenë hundët dhe veshët, u nxorën sytë, u thyhen krahët. Nuk ngopeshin me kaq komunistët, por u këpusin dhe organet seksuale. Duhej të masakroheshin? Për çfarë? A nuk ishin shqiptarë?

Po në tetor të këtij viti në Kavajë bishat komuniste kapin dhe vrasin për llogari të Dushanit dhe Miladinit dy djelmoshat 20-vjeçar Besnik Çano dhe Qeramudin Sulo. Pse kjo dorë tradhtare u këputi shpresat rinore, idealet e pastra të nacionalizmit në agim të tyre? Pse, a nuk ishin shqiptarë?

Sërish në Korçë ata vrasin Baba Zylfon, Sabri Panaritin, Refat Goskovin me gjithë të birin. E pra këta ishin komunistët, vetëm për të vrarë e për të prerë! Çfarë ishin këta që u vranë? A nuk ishin shqiptarë? Punë e madhe!

Por komunistët nuk ngopeshin, vazhdojnë krimet e neveritshme duke vrarë mbas shpine, sikur të ishte tradhtar i poshtër në Tiranë ushtarin e lirisë, trimin e shquar Azis Çami. Ishte shqiptar i flaktë E pra, çfarë u duhet thënë këtyre përbindëshave? Tani e keni kryer detyrën, Dushani serb u dha shpërblimin që meritonit!

Të nderuar të pranishëm, ka edhe më. Tragjedia vëllavrasëse arrin kulmin e saj në përroin e Shipskës në Voskopojë të Korçës zbulohet fshati shqiptar! Zbulohen kufomat e radhës, kufomat e shqiptarëve arrijnë në 185 veta, gjetur pas tre muajsh të masakruar barbarisht, mbytur me një egërsi shtazore, prerë këmbë e kokë, të cilët ishin nga qytetet më patriotike: Vlorë, Berat, Korçë e nga e gjithë Shqipëria.

Në Tiranë më 14 nëntor 1944 në hotelin “Bristol”, sot Muzeu Kombëtar, vrasin 12 veta, Ismail Petrelën, tre vëllezërit Kokolari, Lluka Xhumarin, Nebil Çikën dhe kunatin e tij së bashku me pesë të tjerë.

Krimineli Mehmet Shehu me brigadën e tij kriminale donte të kalonte në Martanesh, por çeta nacionaliste e kryesuar nga Ramë Dervishi i tregoi rrugën se nga do të kalonte ky gjakpirës, që më 3 mars jep urdhër për të masakruar dhe vrarë 22 shqiptarë të pafajshëm.

Po kështu në fillim të marsit në Dunic të Pogradecit po kjo brigadë me kriminel Mehmet Shehun, mbasi vrasin 7 burra, më pas i bëjnë thirrje Haki Blloshmit për të dorëzuar 60 nacionalistë, të cilët i lidhën me litar dhe i ekzekutuan duke i hedhur në një gropë të madhe të hapur nga partizanët. Ky është një simbol i pabesisë së radhës nga komunistët të drejtuar nga krimineli serb Dushan Mugosha.

Këto janë disa nga statistikat, të cilat tashmë janë të dokumentuara për këto krime barbare që kanë kryer komunistët në luftën vëllavrasëse ndaj vëllezërve të tyre shqiptarë në vitet 1943-1944. Këto janë disa statistika, por numri i dëshmorëve të Ballit Kombëtar nuk ka akoma një kufi, janë me qindra dhe mijëra dëshmorë të rënë në trojet etnike. Rrallë ka ngjarë në historinë e popujve një tradhti e tillë dhe kaq e turpshme, ku vëllai vriste vëllanë, djali vriste babanë dhe shqiptarët vrisnin njëri-tjetrin.

Shumë heronj ranë gjatë pushtimit italian dhe gjerman, por numri u shtua edhe më tepër gjatë diktaturës komuniste për pushtet. Kjo luftë vëllavrasëse vazhdoi edhe për 50 vjet ndaj familjeve më patriotike të kombit shqiptar, që ndihen të përbuzura edhe sot dhe nuk kanë përfituar asnjë të drejtë për këto merita të larta kombëtare.

Të nderuar të pranishëm, duhen lexuar, nderuar, përkujtuar, duhen besuar këto të vërteta, se këta martirë nuk ishin pula dhe i kishte zënë virusi H5N1 (media jonë merret më shumë me pulat sesa me këto krime që kryen kriminelët komunistë), por ishin bij nënash, ishin njerëz të pafajshëm që kërkonin një Shqipëri ndryshe, pa diktaturë, pa ideologji kriminale, pa komunizëm. I lexova këto krime barbare tashmë të pranuara publikisht edhe nga protagonistë të asaj kohe, se këta martirë të kombit nuk duhet të lihen në harresë.

Ne do të insistojmë që dëmshpërblimi për të pushkatuarit politikë të fillojë pas prishjes së marrëveshjes së Mukjes dhe jo më 30 nëntor të vitit 1944, se me këtë projektligj do të shpërblehen ish-kriminelët e tyre, dhe ky do të jetë një turp për të gjithë ne që mendojnë se e kemi ndëshkuar komunizmin.

Të nderuar nacionalistë, këto krime nuk ndodhën as mbi Partinë Komuniste, as mbi Partinë Socialiste, as mbi parti tjetër, por ndodhën vetëm mbi Ballin Kombëtar, të kësaj partie të marterizuar, të masakruar për liri dhe demokraci për një Shqipëri etnike, për një frymë bashkimi dhe vëllazërimi kombëtar midis shqiptarëve.

Balli Kombëtar me këta dëshmorë hodhi themelet e moralit politik kombëtar dhe frymëzoi shqiptarët me besimin në vetvete për atë që patën ëndërruar apostujt e Rilindjes Shqiptare, që do të thoshte një lëvizje e gjithmbarshme e kombit drejt një qëllimi të vetëm: lartësimin dhe bashkimin e Shqipërisë etnike.

Asnjë lëvizje, asnjë parti nuk i ka falur Shqipërisë gjatë tri robërive, mijëra dëshmorë sa i ka falur Balli Kombëtar, të cilët janë të pavlerësuar edhe sot.

Këta dëshmorë të kombit dëshmojnë frymën e udhëheqjes së Ballit Kombëtar, thellësisht kombëtar dhe tërësisht e mbështetur në interesat jetësore të Shqipërisë, sepse i ka pasur themelet dhe i ka në principin e ekzistencës shqiptare të popullit shqiptar. Ky, pra, ka qenë dhe është Balli Kombëtar, në të cilin stërgjyshërit, gjyshërit dhe baballarët tanë luftuan, dhe kjo është diskutuar dhe po diskutohet për aktivitetin e përgjithshëm të Balli Kombëtar, prandaj jeta politike nuk ka kuptim në Shqipëri pa Ballin Kombëtar.

Ky është shërbimi më besnik që Balli Kombëtar i ka qëndruar me një dashuri si një nënë dhe si një babë ndaj kombit shqiptar, kjo është edhe detyra jonë në të ardhmen: të respektojmë gjakun dhe rrugën e dëshmorëve tanë. Balli Kombëtar është parti që nuk ka bërë dhe nuk bën tregti me ndjenjat, nuk bënë kompromis me tregtarët, është fuqia më e sigurt dhe më morale e kombit shqiptar. Pa qëndresën e këtyre dëshmorëve, pa Ballin Kombëtar nuk mund të kishte qëndresë kombëtare kundër të huajve, pa Ballin Kombëtar nuk mund të kishte qëndresë antikomuniste në Shqipëri, pa Ballin Kombëtar nuk mund të bëhej e ditur dhe e mbrojtur çështja shqiptare, pa Ballin Kombëtar nuk mund të mendohet e ardhmja e Shqipërisë dhe pa Ballin Kombëtar nuk mund të ketë demokraci në Shqipëri.

Balli Kombëtar kërkon që shoqëria shqiptare të edukohet me këtë frymë dhe jo nga politika e deritanishme, që ka krijuar vetëm konflikte, madje denigrim të kësaj shoqërie. Në këtë ditë përkujtimore i drejtohemi Presidentit të Republikës, zotit Bamir Topi, që të fillojë vlerësimin, nderimin dhe kontributin e të gjithë patriotëve shqiptarë që dhanë jetën e tyre për liri dhe bashkim kombëtar. Ky proces duhet të fillojë me nderimin e 67 martirëve të vrarë në Matjan të Lushnjës 66 vjet më parë. Mendojmë dhe jemi të bindur se me vlerësimin e personaliteteve me përmasa kombëtare të gjithë shqiptarët do të dalin më të bashkuar drejt rrugës së pajtimit kombëtar. Nëse nuk realizohet kjo, pajtim kombëtar nuk do ketë.

Ne e shohim të domosdoshëm problemin e ndriçimit të historisë sonë, në mënyrë të veçantë asaj të Luftës së Dytë Botërore. E shoh këtë obligim si një detyrë parësore të partisë sonë për disa arsye. E para, historiografia shqiptare në 50 vjetët e diktaturës e bëri historinë e popullit tonë sipas tezave bolshevike, të cilat kanë shpallur dhe vazhdojnë të shpallin akoma me zë të lartë se historinë e bëjnë fitimtarët. Për fat të keq, edhe pas rënies së diktaturës komuniste kjo historiografi nuk mundi të shkëputej dot nga paranojat e së kaluarës, duke vazhduar të bjerë në mentalitetet e në kaste njerëzish të inkriminuar.

Së dyti, obligimin tonë për ndriçimin e historisë e shoh si domosdoshmëri për fatin se janë lënë qëllimisht në harresë një varg luftërash të Ballit Kombëtar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, në mënyrë të veçantë ato kundër italianëve dhe gjermanëve. Krahas kësaj janë lënë në harresë sa e sa heronj dhe dëshmorë të Ballit Kombëtarë. Ne kërkojmë që në historinë e Shqipërisë të vendosen dhe të trajtohen me seriozitetin e duhur disa dokumente, fakte dhe ngjarje shumë të rëndësishme, të cilat janë në përputhje me frymën kombëtare, si: a) Nacionalizma e parë shqiptare (prill 1939); b) Dekaloku i Ballit Kombëtar (1942); c) marrëveshja e Mukjes (gusht 1943); ç) luftërat patriotike të Ballit Kombëtar; d) vendosjen e personaliteteve që luftuan dhe dhanë jetën në luftën kundër pushtuesve për liri dhe bashkim kombëtar.

Së fundi, mendoj se duke u ndriçuar si duhet historia e shkuar ne mund tu japim shansin disa bolshevikëve të vjetër që nëpërmjet rrëfimit të ngjarjeve siç kanë ndodhur të mund të na përcjellin pendesën e tyre për krimet që kanë ushtruar ndaj vëllezërve të tyre të një gjaku. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të pajtohen shpirtrat e trazuar të shqiptarëve.

Të nderuar të pranishëm! Të gjithë shqiptarët sot janë ndërgjegjësuar në rrugën e kahershme që kërkoi Balli Kombëtar. Koha vërtetoi se Balli Kombëtar i orientoi shqiptarët drejt atyre vendeve demokratike perëndimore që i kanë dashur dhe u duan të mirën Shqipërisë dhe shqiptarëve. Balli Kombëtar do të vazhdojë në rrugën e tij të nisur 70 vjet më parë për të realizuar dëshirën dhe amanetin e dëshmorëve të Ballit Kombëtar për bashkimin e trojeve etnike të Shqipërisë.

Të nderuar pjesëmarrës në këtë tubim! Duke ju falënderuar juve dhe në mënyrë të veçantë familjet e viktimave të rëna 66 vjet më parë, mendoj se i kemi bërë një homazh të madh jo vetëm kësaj ngjarjeje, por krejt luftës dhe sakrificave të panumërta të Ballit Kombëtar në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Ne së bashku këtu në Lushnjë shtrojmë pyetjen: a duhet lënë në harresë gjaku dhe kontributi i tyre? Jo, kurrë! Këto mesazhe do të na shërbejnë neve, bijve të martirëve të djeshëm, të shtrëngojmë radhët tona për tu përballur me neodiktaturën dhe pjellat e saj fatkeqe për ardhmërinë e kombit tonë. Ky është detyrimi jonë: të përkujtojmë ngjarje të tilla, çdo luftë të Ballit Kombëtar, çdo çetë dhe batalion, çdo dëshmor të Ballit Kombëtar për të hequr dhe larguar një herë e përgjithmonë baltën e hedhur padrejtësisht nga kriminelët komunistë. Edhe pas këtyre krimeve, masakrave, pushkatimeve, burgosjeve, internimeve ne nacionalistët mbijetuam...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›