PS: Qeveria po përmbyt Shkodrën
SHKODER – Partia Socialiste zhvilloi protestën e saj në Shkodër, duke akuzuar Qeverinë për situatën e krijuar nga përmbytjet. Kanë qenë deputetët e PS-së për Qarkun e Shkodrës, Astrit Beci dhe Ilir Beqja, të cilët pranë godinës së Prefekturës, përpara rreth 200 përkrahësve të tyre kanë bërë publike arsyet pse kjo Qeveri duhet të largohet sa më parë nga qeverisja e vendit. Deputeti Beqja ka falënderuar pjesëmarrësit në këtë miting, të cilët kishin ardhur jo vetëm nga qyteti i Shkodrës si dhe nga fshatrat përreth tij, por edhe nga Malësia e Madhe. “është kjo Qeveri, e cila manipuloi votimet e 28 qershorit, është kjo Qeveri që Kryeministri i saj, Sali Berisha, mburrej se përmbytjet ndodhnin një herë në 100 vjet. Ai dhe Qeveria e tij e përmbyti për 3 herë Qarkun e Shkodrës brenda 4 muajsh. është kjo Qeveri që krenohej me rritjen e eksportit të energjisë dhe ky eksport po sjell përmbytje. është kjo Qeveri, e cila edhe pse u premtoi banorëve të kësaj zone paratë e dëmshpërblimeve për përmbytjet, ata akoma nuk kanë marrë as edhe një lek prej 4 muajsh”, deklaroi dje gjatë fjalës së tij deputeti Beqja. Gjithashtu deputetët e majtë kanë akuzuar Qeverinë, e cila nga dita në ditë sipas tyre po varfëron popullin e vendit tonë, duke rritur çmimin e energjisë elektrike, të ujit të pijshëm edhe pse uji po i përmbyt këto zona të nën- Shkodrës. Pasi kanë mbaruar fjalën, deputetet e PS-së u kanë bërë thirrje pjesëmarrësve në këtë miting që të kalojnë në heshtje përgjatë rrugës kryesore të qytetit nga godina e prefektit deri në sheshin e Parrucës. Gjatë këtij parakalimi ata mbanin në duar parullat me akuza për përmbytjet, rritjen e çmimit të energjisë, papunësisë, etj. Protesta e djeshme e PS-së në Shkodër pason të tjerat të organizuara në të gjithë vendin, me synim hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të kaluara si dhe evidentimin e fenomeneve negative, që sipas socialistëve janë rrjedhojë e qeverisjes aktuale. r.d