Durrës, “ortek” balte tek Currilat
DURRES- Një tjetër “ortek” balte, masivi i së cilës ishte disa herë më i madh se ai i një dite më parë, ka rrëshqitur nga kodrat e Currilave, duke bllokuar për orë të gjata një pjesë të mirë të rrugës turistike. Si rrjedhojë dhjetëra automjete, mes të cilave edhe autobuzi urban i linjës Durrës- Universitet- Currila, mbeti i bllokuar nga balta. Shiu i pandërprerë i këtyre ditëve vuri në alarm sërish shtabin e emergjencës në Durrës për të rifilluar punën për pastrimin e rrugës. Kjo rrugë në sezon turistik merr një ngarkesë të lartë lëvizjesh si këmbësorësh ashtu edhe automjetesh. Ndonëse edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak u fol shumë për projektin që do të shpëtonte kodrat e Durrësit nga erozioni, gjendja e krijuar kohët e fundit duket se kërkon kalimin e shpejtë nga fjalët tek veprat. Problemi kryesor mbeten fondet, pasi pyllëzimi vështirësohet nga lartësia e kodrave që bien “thikë” mbi rrugë. Bashkia aktualisht është duke u marrë me pastrimin e dheut që zbret nga kodrat, por sipas specialistëve zgjidhja përfundimtare do të ishte vetëm pyllëzimi me pisha dhe akacie. Ndërkohë si pasojë e rrëshqitjeve masive, kodra tashmë ka humbur fare bazamentin prej argjile duke formuar këndin 90 gradë me terrenin, çka e bën situatën akoma më kritike. Të gjithë i druhen një “orteku” akoma më të fuqishëm balte, efektet e të cilit mund të ndjehen deri tek lokalet turistike në breg të detit. Deri më tani disa restorante dhe shtëpi banimi kanë dalë jashtë funksioni si pasojë e furisë së baltës. Kjo nuk është hera e parë që nga rrëshqitja e tokës dëmtohen banesa, por edhe lokale. Vetëm pak kohë më parë në këtë zonë u dëmtua tërësisht një lokal si pasojë e rrëshqitjes së tokës. Banorët e kësaj zone i bëjnë thirrje bashkisë të ndërhyjë sa më shpejt pasi edhe banesat e tyre janë të rrezikuara. o.u