Përmbytja, deputetët e PD-së ndihmë prej 500 mijë lekësh nga paga e tyre
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike vendosi sot që çdo deputet i tij të kontribojë me 500 mijë lekë nga paga e vet, si ndihmë për të prekurit nga përmbytja e këtyre ditëve në qarkun e Shkodrës. Propozimi u bë nga një grup deputetësh dhe ai u miratua me unanimitet. Mbledhja vlerësoi se, pavarësisht qetësimit dhe përmirësimit të situatës në zonat e përmbytura, është e dosmosdoshme që të mos shkëputet asnjë ditë vëmendja për të ndihmuar me të gjitha mjetet dhe mundësitë banorët në nevojë.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike shprehu mbështetje të plotë dhe vlerësoi punën e jashtëzakonshme të qeverisë dhe të agjencive të tjera shtetërore të angazhuara në terren për përballimin dhe kapërcimin e situatës së krijuar në qarkun e Shkodrës, pas fatkeqësisë së rëndë natyrore.
Në mbledhje u ra dakord se angazhimi dhe përkushtimi i cdo strukture shtetërore dhe i cdo deputeti do të vijojë deri në kthimin e gjendjes në normalitet të të gjithë zonës së përmbytur dhe në kompensimin e plotë të cdo qytetari të dëmtuar nga kjo fatkeqësi.