Përmbytja në Vlorë, dhjetëra rrugë e banesa ende në baltë
Kur kanë kaluar më shumë se 3 ditë nga përmbytja e ndodhur në disa lagje të qytetit të Vlorës, ende ka banesa dhe rrugë që nuk janë pastruar nga llumi. 12 familje në lagjen "10 korriku", tetë në atë "Pavarësia" dhe 14 në lagjen "24 maji" ankohen se jo vetëm jetojnë ende mes ujit, por edhe se askush nuk ka ardhur ti shikojë nga institucionet vendore për ti ndihmuar për të rikthyer normalitetin në jetën e përditshme.
Ata theksojnë se kanë ardhur këto ditë autobotet e bashkisë në rrugët kryesore të lagjeve dhe kanë bërë thithjen e ujit në to, por nuk janë futur në brendësi të lagjeve dhe punëtorët kanë kërkuar për ta bërë këtë gjë përmes pagesës që duhet të bëjnë vetë banorët. Ata theksojnë se janë njohur këto ditë me shpërndarjen në qytet të 170 certifikatave të pronësisë për të ardhurit në rrethinat e qytetit pas viteve '90 dhe nuk kanë asgjë me këta banorë, sepse edhe ata kanë ardhur për një jetë më të mirë, por nga ana tjetër shprehen se bashkia, prefektura por edhe qeveria, më parë se t'u japë atyre certifikata pronësie të mendojë për këta banorë që kanë dhjetëra vite që kanë banesat në qytet dhe vetëm pas viteve '90 po njohin përmbytjet nga shiu më i vogël. E gjitha kjo vjen prej mospastrimit të kanaleve kulluese nëpër lagje. Ata janë të ndërgjegjshëm se bllokimi i kanaleve vjen edhe për shkak të vetë banorëve që kanë hedhur në to plot mbeturina deri edhe dyshekë e krevate kopjo, por kërkojnë nga bashkia që ta bëjë një pastrim të këtyre kanaleve dhe të vërë përpara përgjegjësisë ata që bëjnë këto bllokime. Por aktualisht ata kërkojnë që bashkia të dërgojë mjetet e saj dhe të bëjë pastrimin e rrugëve për të dalë edhe ata në rrugët kryesore sepse sot nis dhe mësimi dhe do t'u duhet të dërgojnë fëmijët në shkollë, gjë që nuk mund ta bëjnë dot që të gjitha rrugët janë të bllokuara. Ata po ashtu kërkojnë që bashkia të dërgojë pranë familjeve të tyre ndonjë komision për të verifikuar dëmet e mëdha që u janë shkaktuar nga këto përmbytje, ku të shumta janë edhe orenditë shtëpiake elektrike që për shkak të ujit të futur në këto banesa, kanë dalë jashtë përdorimit.