E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta, thirrje qeverisë për subvencionimin kartave për një kategori të caktuar

LSI forca më kritike opozitare ndaj Berishës, asnjëherë koalicion
Lideri i LSI, Ilir Meta, së bashku me bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi aplikuan dje për tu pajisur me kartën e identitetit. Meta së bashku me Kryemadhin u drejtuan për në zyrat e njësisë bashkiake Nr. 7 në kryeqytet, ku bënë edhe aplikimin për pajisjen me kartë identiteti. Pas përfundimit të procedurave të aplikimit. Meta me këtë rast u bëri një mesazh të gjithë qytetarëve të këtij vendi që të aplikojnë për karta identiteti, pasi ky është një proces shumë i rëndësishëm, jo vetëm për të garantuar të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar në 28 Qershor. Ai theksoi se pajisja me kartë identiteti është një kontribut që çdo qytetar realizon për të patur të gjitha shërbimet që ai kërkon nga shteti i tij, por është dhe një kontribut për të forcuar sigurinë e të gjithë vendit dhe sigurinë e çdo qytetari shqiptar. Meta vijoi se gjithashtu është dhe një detyrim në kuadër të procesit të integrimit europian të vendit tonë. Në mënyrë të përsëritur, Meta i bëri thirrje qeverisë që të subvencionojë në maksimumin e mundshëm të gjithë ato shtresa të shoqërisë dhe të popullsisë sonë, që janë në gjendje të rënduar ekonomike për shkak të të ardhurave fare të pakta dhe të rritjes së kostos së jetesës. Gjithashtu, tha Meta komisioni i përbashkët parlamentar për çështjen e zgjedhjeve, dhe njëkohësisht për çështjen e ecurisë së kartave të identitetit duhet të propozojë zgjidhje sa më efektive në drejtim të motivimit të gjithë shtetasve tanë që ky proces të kurorëzohet me sukses deri në fund të muajit maj.Shpresoj që edhe misioni i ODIHR-it, që tashmë ka ardhur në vendin tonë dhe është njohur me këtë shqetësim, të kontribuojë edhe ai me propozime sa më konkrete dhe efikase. Është domosdoshmëri që zgjedhjet e 28 Qershorit të jenë zgjedhje të lira, theksoi Meta. Ai tha se për fat të keq,standardet e këtyre zgjedhjeve janë cënuar që nga momenti i hartimit të Kodit zgjedhor. Meta në emër të LSI-së, sipas tij si forcë politike me energji pozitive dhe me vullnet pozitiv,duke pasur në konsideratë rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, u bëri thirrje të gjithë aktorëve brenda vendit, dhe sidomos OSBE dhe ODIHR-it, të propozojnë zgjidhje sa më motivuese dhe sa më konkrete në mënyrë që çështja e kartave të mos jetë një çështje që të cënojë me tej standardin e zgjedhjeve të ardhshme, që janë shumë të rëndësishme edhe për aplikimin me sukses të vendit tonë në Bashkimin Europian. I pyetur nga gazetarët, lidhur me deklaratën e Kryeministrit Berisha, se e majta do ti humbë zgjedhjet në 28 Qershor, Meta u shpreh se ne e kemi bërë të qartë gjithmonë se objektivi ynë është nxjerrja në pension në 28 Qershor e kryeministrit aktual, zotit Berisha. Ai tha se LSI ka përgatitur dhe një ligj shumë të mirë për moshën e tretë, të cilin ai e rrëzoi para pak javësh, por që ne do ta miratojmë pasi të vijmë në pushtet. Lidhur me disa zëra që janë shprehur të keqardhur për deklaratën e tij se pas zgjedhjeve do të bëjë koalicion me PS, Meta shprehu bindjen se asnjëherë, askush nga përfaqësuesit e LSI, nuk ka lënë për të kuptuar se mund të ketë një koalicion me Sali Berishën. Përkundrazi,tha ai ka më se një vit që objektivi i LSI-së është nxjerrja në pension politik e kryeministrit Berisha dhe këtë do ta arrijnë me votë përmes zgjedhjeve të ndershme dhe të lira.Për shqetësimet që mund të kenë sjellë qëndrimet e mia, unë jam i suprizuar nga habia që kanë ndjerë disa aktorë politikë, të cilët nuk e kuptoj se pse janë çuditur, u shpreh Meta. Ai nënvizoi se LSI ka qenë forca më kritike dhe më opozitare ndaj Qeverisë Berisha, sidomos që pas tragjedisë së Gërdecit dhe në vijimësi. Gjithashtu, tha Meta LSI ka qenë forca më e qartë që është në funksion të fitores së të majtës dhe të forcave progresiste në 28 Qershor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›