Përmbytjet Berisha mbledh qeverinë: Komitet emergjence për evakuimet
Autori i Lajmit: Suela Topi
Qeveria vendos ngritjen Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile për të koordinuar të gjitha masat që duhet të merren pas përmbytjeve të mëdha të ndodhura në zonën veriore të vendit. Ky problem ka qenë në qendër të vëmendjes së kryeministri Sali Berisha, i cili mblodhi Këshillin e Ministrave për të diskutuar një plan të detajuar lidhur me masat që duhet të merren në këtë drejtim. Kryeministri, ndërsa bëri një përmbledhje të gjithë situatës, pohoi se parashikohet që situata të vazhdojë të jetë problematike edhe për dy muajt në vazhdim për shkak të kushteve meteorologjike. Ai shtoi se prurjet e mëdha bënë që nivelet e liqeneve të rriten me shpejtësi, në këtë kontekst më problematiku për momentin është liqeni i Komanit. Kreu i Qeverisë caktoi detyrat për secilën ministri.
Komiteti
Me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave miratoi ngritjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile, për përballimin e situatës së krijuar si pasojë e reshjeve të shumta dhe të vazhdueshme të shiut, të rëna ditët e fundit në vendin tonë dhe përmbytjet. Ky Komitet do të kryesohet nga ministri i Brendshëm dhe në përbërje do të ketë ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ministrin e Financave, ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, ministrin e Mbrojtjes, ministrin e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, ministrin e Shëndetësisë dhe ministrin e Arsimit dhe të Shkencës. Ndërsa është ngarkuar Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile për hartimin e menjëhershëm të një plani masash për përballimin e kësaj situate. “Sot do të krijojmë Komitetin Ndërministror të Emergjencës Civile, i cili do të koordinojë me autoritetet vendore të gjithë procesin e evakuimit nga kjo zonë. Nuk është kurrë në natyrën time të lëshoj nota pesimiste, por nuk mund të mos paralajmëroj situatën. Kemi 12 ditë që bie shi pandërprerë. Prognoza thotë edhe 10 ditë të tjera. Ata që kanë jetuar në ato zona e dinë që, në këtë moment që flasim, janë me mijëra burime, të shterura tërësisht gjatë verës, që tani shndërrohen në burime të fuqishme dhe ushqejnë lumenjtë dhe do të vazhdojnë ti ushqejnë edhe për një apo dy muaj të tjerë shumë më tepër”, - tha Berisha gjatë mbledhjes urgjente të Qeverisë të zhvilluar dje. Kryeministri shtoi se Komiteti duhet të përqendrohet kryesisht tek dy rrethe, në Shkodër dhe në Kurbin, por duhet të mbajmë një studim të shpejtë dhe një qëndrim agresiv edhe ndaj Vjosës. Ndaj sipas tij, është e domosdoshme një rishqyrtim i situatës së gjendjes tërësore të argjinaturave, veçanërisht në derdhjen e saj. Berisha theksoi se detyra e Ekzekutivit është të parandalojë katastrofën. “Sot, krahasuar me dje, janë dyfishuar prurjet. Ndonëse nuk janë të larta, por janë dyfishuar dhe duhet të përgatitemi për të gjitha situatat. Kursimi i jetës së njerëzve dhe të gjësë së gjallë pas njerëzve. Ndaj, u bëj thirrje komunave të Shkodrës dhe të gjithë komunave të Kurbinit, të Krujës dhe kudo të solidarizohen, të ndihmojnë me mundësitë e tyre, sidomos për bagëtitë, se shteti do të ndërhyjë edhe tek bagëtitë, ndërsa për sa u përket qytetarëve, ne do ti strehojmë në hotele, konvaleshenca, konvikte në kushte optimale”, - tha më tej Berisha. Ai ka përgëzuar më tej autoritetet vendore që janë në mënyrë të pandërprere pranë të përmbyturve apo merren me problemet e tyre, forcat e rendit, ushtrinë, KESH-in, shëndetësinë dhe arsimin, të gjithë ata që me një përkushtim të madh gjatë këtyre ditëve, kanë bërë që kjo situatë të menaxhohet me eficencë. Kryeministri i bëri thirrje sërish biznesit, i cili ka ndihmuar shumë këto ditë, që të vazhdojë solidaritetin në këto zona, si dhe medias që të pasqyrojnë me vërtetësi këtë situatë, sepse kjo është në interesin e tyre më të mirë, por edhe në interesin e vendit. “Unë jam optimist se kjo situatë do të kapërcehet me humbjet më minimale. Qeveria do ti garantojë fermerët e Dajçit, të Anës Malit dhe kudo që ndodhen se do të jetë pranë tyre dhe me ta, do ti kompensojë dhe nuk ka vend për dëshpërim, psikozë dhe asgjë tjetër të tillë”, - tha Berisha.
Komiteti Ndërministror përbëhet nga
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
Ministri i Financave
Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit
Ministri i Mbrojtjes
Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit
Ministri i Shëndetësisë
Ministri i Arsimit dhe i Shkencës
Detyrat
Për Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjetikës: Të kërkojë ekspertizë ndërkombëtare.
Për Ministrinë e Mbrojtjes: Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura duhet të kompletojë me shpejtësi planin e evakuimit total të njerëzve dhe gjësë së gjallë dhe rrugët e evakuimit.
Për Ministrinë e Bujqësisë: Bordet e kullimit nga mbarë Shqipëria do të përqendrohen me të gjitha mjetet në zonën Shkodër - Kurbin - Vjosë. Ato duhet të vijnë nga të gjitha rrethet, ku nuk ka një rrezik eminent.
Për Ministrinë e Brendshme: Të përcaktohen të gjitha detyrat e reja, nga marrja në mbrojtje të plotë të linjave të hidrovoreve e deri tek ndihma për evakuimet dhe funksione të tjera. Përqendrim i veçantë duhet në pritat e detit.
Për Ministrinë e Shëndetësisë: Të përgatisë planin e ndihmës emergjence, duhet të studiojë të gjitha mënyra e ofrimit të saj, por veçanërisht planin e sanifikimit të të gjithë zonës pas përmbytjes, sepse aty çdo ditë krijohet një situatë shumë e rëndë.
Për Ministrinë e Punëve Publike: Të bëjë çdo gjë për kontrollin e ujësjellësve dhe kanalizimeve. Drejtoritë e Rrugëve të jenë të gjitha në gatishmëri të plotë, sepse në një anë kemi ujërat, në anën tjetër mund të kemi borë dhe duhet të garantohet kalimi në akset rrugore.
Për Ministrinë e Arsimit: Ta ndjekë në mënyrë të përditshme situatën dhe, sipas kushteve e rrethanave, shkollat, vetëkuptohet, shtyhen.
Për Ministrinë e Kulturës: Të bëjë një përkujdesje të madhe për të gjithë trashëgiminë kulturore.
Topi: “Dëmshpërblim për pasojat e shkaktuara nga përmbytja”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, siguroi banorët e zonave të përmbytura se shteti do të marrë të gjitha masat për dëmshpërblimit e tyre, ndërsa kërkoi solidarizim të plotë për zgjidhjen e kësaj situate të krijuar. “Kjo kërkon një solidaritet kombëtar, sepse shqetësimi i një zone është shqetësim për të gjitha zonat e Shqipërisë, kërkon një solidaritet njerëzor dhe institucional dhe patjetër mbi bazën e këtij solidariteti, kemi pasur dhe eksperienca të kaluara, ju do të dini të kaloni, të dilni nga kjo situatë dhe pas evidentimit të dëmeve, shteti do të bëjë të gjithë kompensimin e atyre pasojave që kanë ardhur natyrisht jo thjesht për faj të njerëzve”, - tha dje Topi, gjatë inspektimit të bërë në komunën e Dajçit. Ai siguroi banorët se të gjitha strukturat shtetërore, të gjitha institucionet, edhe institucionet e pushtetit vendor, janë të gjitha të sintonizuara në një shqetësim maksimal për të përballuar situatën, për ta kaluar atë me pasojat më minimale të mundshme dhe për tiu kthyer normalitetit! Topi, duke bërë një retrospektivë të situatave të ngjashme, pohoi se ky moment emergjence nuk mund të kalohet me panik. “Gjërat nuk janë në dorë të fatit, tani janë në dorë të profesionistëve, të institucioneve dhe apeli më i rëndësishëm që unë dëshiroj të jap është ai që ka të bëjë me jetët e njerëzve. Të gjithë banorët e zonës kanë marrë apele nga autoritetet, kanë dëgjuar apele dhe nga specialistët e fushës, të cilët e njohin më mirë situatën, e dinë që situata do të vijë duke u përkeqësuar për sa i përket sasisë së ujit, i cili është i detyruar që të shtohet. Dhe ashtu sikurse ndodh edhe me ligjet e evakuimit të anijeve për paralelizëm kemi të bëjmë që fillimisht duhet të evakuohen fëmijët, gratë, të moshuarit dhe kuptohet që nëpërmjet komunikimit të vullnetshëm të banorëve me pushtetin vendor, mund të ketë kryefamiljarë që dëshirojnë të rrinë për momentin, por gjithçka në bazë të konsultimeve me specialistët”, - tha ai. Edhe Topi i bëri thirrje medias që të përcjellë me realizëm situatën, ndërsa theksoi nevojën e studimeve të mëtejshme integrale për të përballuar situatën në kohën e duhur. “Që të mos na japin probleme, por që ti shfrytëzojmë vetëm për mirë, duhen studime integrale, veprime energjike, duke filluar me thellimin e shtratit të lumenjve, me thellimin e grykëderdhjeve, të deltës së lumenjve, me mbajtjen gjithmonë në funksion të hidrovoreve, me një kujdes të të gjithëve për pastrimin e kanaleve, sepse punojmë gjatë gjithë kohës për të bërë profilaksinë e një situate të tillë”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 07/01/2010