E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet, Meta: Situata, fatkeqësi natyrore

TIRANE- Pak orë para mbledhjes së qeverisë zëvendëskryeministri dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta garantoi angazhimin total të qeverisë për të stabilizuar situatën e krijuar nga përmbytjet në Shkodër. Njëlloj si shefi i qeverisë, Meta e ka quajtur situatën e krijuar pasojë të kushteve natyrore që sipas tij ndodhin njëherë në 100 vite. Meta ka komentuar si obsesion personal deklaratat e kreut të Partisë Socialiste Edi Rama ndaj ministrit të Energjetikës Dritan Prifti. “Absolutisht që është vetëm një fatkeqësi natyrore. Cdo përpjekje për të instrumentalizuar një fatkeqësi të tillë për qëllime politike absolutisht të shton keqardhjen. Me akuzat e zotit Rama ndaj ministrit Prifti ai ka obsesion personal. është momenti që secili të japë kontributin e tij për të lehtësuar këto sakrifica që po bëjnë jo vetëm banorët e nënShkodrës, por edhe sakrificat që po bëjnë strukturat e shtetit.” u shpreh Meta. Numri dy i qeverisë garantoi se paralelisht me përballimin e situatës në veri të vendit, qeveria po punon me përgjigjet e pyetësorit dhe plotësimin e të gjitha standardeve për të arritur liberalizimin e vizave, proces për të cilin vetë Ministri i Jashtëm ka dhënë garanci se do të realizohet brenda këtij viti. “Po plotësojmë të gjtha standardet e kërkuara për liberalizmin e vizave. Progresi është i jashtëzakonshëm. Jemi të bindur që brenda këtij viti Shqipëria i plotëson të gjitha këto detyrime dhe shqiptarët do ta meritojnë të udhëtojnë pa viza brenda hapsirës Shengen ” theksoi Meta. Garancia e zotit Meta në procesin e liberalizimit të vizave vjen një ditë pasi kancelaria gjermane Angela Merkel deklaroi se Shqipëria ka ende probleme që të përfitojë liberalizim vizash. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›