E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet, Nënshkodra nuk do të prodhojë asgjë këtë vit

Fermerët janë shprehur se nuk mund të mbjellin asgjë. Në Velipojë e Dajç ka ende toka që janë nën ujë


SHKODËR - Përmbytjet e tokave bujqësore në muajt janar e shkurt të këtij viti do të sjellin pasoja të rënda për ekonominë e fermerëve të zonës së Nënshkodrës të cilët me tokën kanë të lidhur jetën e tyre. Këtë e pohojnë vetë fermerët të cilët shprehen se në këtë situatë për mbjellje të pranverës as që mund të bëhet fjalë.


Madje toka nuk është e gatshme as për mbjellje të mëvonshme dhe vështirë që të mund të marrin prodhim prej saj këtë vit. Në zonën e Velipojës e të Dajçit ka akoma sipërfaqe toke nën ujë. Kështu, në komunën Dajç, sipas kryetarit të saj Arben Gjuraj janë akoma rreth 350 ha tokë me prani të ujit.


"Kjo më së shumti është sipërfaqe toke që ndodhet në nivel të ulët dhe çdo vit ka prani të ujit në të, ndërsa bën përjashtim fusha e Pentarit, e cila nuk përmbytet asnjëherë, ndërsa aktualisht ka akoma ujë në të si pasojë e përmbytjeve të këtij viti", thotë Gjuraj. Ndërsa vetë fermerët shprehen se toka e tyre as që mund të japë prodhim, pasi lagështira është e madhe.


Ata thonë se, ndonëse ka disa ditë që ka pasur mot me diell, frika e rikthimit të reshjeve apo dhe të ndonjë shkarkimi tjetër të mundshëm nga portat e hidrocentraleve mbi Drin, është e pranishme.


"Dëgjuam se është thënë se nuk do të ketë shkarkime dhe portat janë mbyllur e nuk do hapen. Por jemi akoma në gjysmë të marsit e nuk i dihet. Për ne kjo ka qenë një katastrofë, pasi me tokën jetojmë", shprehet Lazër Kola, të cilit i është përmbytur e gjithë toka bujqësore që ka në pronësi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›