Grabitet dyqani, i maskuari merr paratë e xhiros

Persona të panjohur sulmuan dhe vodhën me dhunë një lokal dje në mbrëmje pranë stadiumit "Dinamo", në kryeqytet
Autori, sipas policisë, nuk përdori armë por mundi të merrte paratë. Policia nisi hetimin, në komisariat u shoqërohen disa të dyshuar
TIRANË- Një dyqan kozmetike u grabit dje në mbrëmje në afërsi të stadiumit "Dinamo", ku një person i maskuar dyshohet të ketë marrë një shumë prej 30 mijë lekësh të reja, duke u larguar me shpejtësi. Ngjarja ndodhi në mbrëmje rreth orës 20. 30, në kohën ku brenda dyqanit ndodhej vetë pronari dhe dy punonjëset që shisnin produktet kozmetike.
Sipas burimeve të policisë, pronari ka qenë duke mbledhur xhiron ditore, ndërsa autori i ngjarjes u fut në dyqan dhe nën kërcënim iu mori lekët. Nga të dhënat paraprake të Policisë në lidhje me ngjarjen, mësohet se një person i maskuar ka hyrë brenda dyqanit, duke grabitur nga aty gjithë xhiron ditore.
Nga burimet e Policisë së Tiranës, mësohet se grabitësit dyshohet të kenë qenë dy persona, ku njëri prej tyre ka hyrë brenda në dyqanin e produkteve kozmetike për të grabitur shumën e lekëve. Pasi ia ka arritur qëllimit, personi që dyshohet të jetë autor i ngjarjes, është larguar me shpejtësi nga vendi ku ndodhej dyqani, duke i shpëtuar edhe ndalimit nga uniformat blu.
Pronari i dyqanit që ra pre e grabitësve njoftoi forcat e policisë për ngjarjen, ndërsa këto të fundit nisën hetimet për të zbuluar autorët e dyshuar të ngjarjes, si dhe shumën që mund të kenë grabitur.
Nga hetimet paraprake, dyshohet se grabitësi nuk e ka përdorur armën, por kjo pritet të zbardhet gjatë hetimeve të strukturave të Policisë së kryeqytetit.
Pas njoftimit të marrë për grabitjen në vendngjarje mbërritën efektivat e Komisariatit të Policisë nr. 2, të cilët më pas nisën të ushtronin kontrolle të shumta përreth zonës ku ndodhet stadiumi "Dinamo", për të rënë në gjurmët e personit që dyshohet se realizoi grabitjen e rreth 30 mijë lekëve të rinj mbrëmë rreth orës 20.30.
Dëshmitë e para Policia i ka marrë nga dy punonjëset e dyqanit të produkteve kozmetike dhe nga pronari i dyqanit, të cilët janë pyetur për karakteristikat e personit që realizoi grabitjen. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shumën e lekëve që u grabit në dyqan si dhe për të identifikuar autorët e ngjarjes. Nga të dhënat e Policisë së Tiranës, mësohet se deri në orët e vona të mbrëmjes, nuk kishte persona të ndaluar si autorë të dyshuar të ngjarjes.