E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, Prifti: Përgatituni!

Zona e nënShkodrës është përsëri e rrezikuar seriozisht nga përmbytjet. Këtë mesazh përcolli ministri i Energjetikës Dritan Prifti i cili ka shtuar se në 24 orët e fundit rritja e niveleve të ujit në hidrocentrale ka qenë e shpejtë dhe që bën të domosdoshëm shkarkimet.

“Vetëm gjatë 24-orëshit të fundit Fierza është rritur 87 cm, Komani është rritur 99 cm, Vau i Dejës është rritur 15 cm. Komisioni i posaçëm për të menaxhuar situatën në Shqipëri bashkë me Inspektoriatin teknik janë mbledhur me urgjencë sot rreth orë 4:00 të mëngjesit për të marrë vendimet për situatën. Pra për menaxhimin e situatës, për nivelin e shkarkimeve. është bërë rakordimi me ministritë e tjera, me komisionin e Emergjencës Civile, me pushtetin lokal në zonën e Shkodrës dhe të nënShkodrës për të paralajëmruar rreziqet që mund të jenë të pashmangshme për përmbytjet” tha Prifti.

Sipas zotit Prifti ndonëse nuk ka ende një vendim për të hapur portat e shkarkimit në Fierzë hapja e portave të shkarkimit në hidrocentralet e Vaut të Dejës dhe Komanit është e pashmangshme.
“Ne jemi duke ndjekur situatën minutë pas minute. Nuk mendoj që ka asnjë lloj rreziku për kaskadën tonë. Nuk mendoj se ka asnjë vend për panik përveç faktit që zona e Shkodrës dhe nënShkodrës duhet të jetë e përgatitur nëse atje mund të ketë përmbytje” tha Prifti.

Ministri tha se pëvec rrezikut ka edhe një lajm të mirë, prodhim energjie në shkallë të lartë dhe eksport i lartë i saj. Aktualisht të tre hidrocentralet mbi Drin punojnë me kapacitet të plotë.

Adi Darsi

Azhornuar së fundi ( e mërkurë , 24 shkurt 2010 ) < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›