E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet, alarmohet situata, mblidhet Komiteti i Emergjencave Civile



Ervin KOÇI

Situata tejet e rënduar e dy ditëve të fundit në ultësirën e Nën-Shkodrës, detyroi dje drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Ekonomisë që të mblidhen për të shqyrtuar gjendjen. Për këtë arsye që në orët e para të mëngjesit të djeshëm, u bë mbledhja e Komitetit të Emergjencave në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, nën drejtimin e zëvendësministrit, Sokol Dervishaj, për të diskutuar rreth masave dhe hapave që do të ndërmerren pas situatës së krijuar në Shkodër. Zëvendësministri Sokol Dervishaj, deklaroi se ka rritje të nivelit të liqenit të Shkodrës, ndërsa shkarkimet kanë qenë minimale. Sipas tij, “KESH-i e ka menaxhuar më së miri situatën dhe është shënuar rritje e prodhimit të energjisë elektrike”. Ndërsa anëtari tjetër ui këtij komisioni, Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Engjëll Zeqo, deklaroi se situata po monitorohet dhe shfrytëzimi i energjisë do të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme. "Portat e HEC-eve janë në gjendje të mirë, nuk ka asnjë problem dhe sigurojmë se menaxhimi i prurjeve do të jetë i duhuri",- tha Zeqo.

Situata
Në situatën e krijuar, Z. Dervishaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve kryesore përgjegjëse, si KESH-i, OST-ja, por edhe “CEZ Shpërndarje”, në mënyrë që të merren të gjitha masat për përballimin e kësaj situate jo të zakontë dhe për menaxhimin sa më të mirë të kaskadës së lumit Drin. Dervishaj, tha se Ministria e Ekonomisë, është në gatishmëri të plotë për të përballuar këtë situatë dhe që efektet e saj të minimizohen për banorët në zonën e Shkodrës dhe Nën-Shkodrës. Duke qenë se niveli i prurjeve në kaskadën e lumit Drin është i lartë dhe reshjet pritet të vazhdojnë gjatë gjithë ditëve në vijim, Zëvendësministri Dervishaj tha se situata mund të vijë duke u përkeqësuar. ”Prej 12 ditësh prurjet vazhdojnë të jenë 1200-1300 metër kub në sekondë dhe rritja ka arritur në 9 metër. Të gjithë agregatët kanë vijuar punën dhe prodhimi i energjisë ka qenë në maksimum”,- deklaroi drejtori i KESH-it, Engjëll Zeqo.

HEC-et
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare bën të ditur se niveli i hidrocentralit të Fierzës është 289.38 metra, prurjet janë 1200 metër kub në sekondë, ndërsa shkarkimet 500 metër kub në sekondë. Ndërkohë në Koman niveli i ujit është në kuotën e 172.5 metrave, prurjet janë 1240 metër kub në sekondë dhe shkarkimet 2217 kub në sekondë. Sipas KESH-it, në hidrocentralin tjetër, atë të Vaut të Dejës, kuota aktualisht është 74.5 metra, prurjet 405 metër kub në sekondë dhe shkarkimet 2400 metër kub në sekondë.

Qeveria shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore në Shkodër

Qeveria vendosi dje pas propozimit të ministrit të Brendshëm shpalljen e gjendjes së emergjencës civile, si pasojë e përkeqësimit të kushteve natyrore të motit, në komunat Ana e Malit, Dajç, Guri i Zi, Bërdicë, Bushat, Velipojë, Vig Mnel, Hajmel, Postribë dhe në bashkinë Vau i Dejës e bashkinë Shkodër, të qarkut të Shkodrës. Ajo vendosi në mbledhjen e djeshme edhe ngritjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, i cili të kryesohet nga zëvendëskryeministri dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe në përbërje të ketë këta anëtarë: Ministrin e Brendshëm; Ministrin e Mbrojtjes; Ministrin e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit; Ministrin e Financave; Ministrin e Punëve Publike dhe Transportit; Ministrin e Shëndetësisë; Ministrin e Arsimit dhe Shkencës; Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura; Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit; Drejtorin e Përgjithshëm të Emergjencave Civile; Drejtorin e Përgjithshëm të KESH-it. Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile do të bashkërendojë punën me ministritë e linjës, me institucionin e prefektit, Shkodër, dhe me njësitë e qeverisjes vendore, ku është shpallur gjendja e emergjencës civile, për hartimin dhe zbatimin e planit të evakuimit të banorëve të zonave të prekura, për krijimin e kushteve të këtyre banorëve për jetesë, si dhe për marrjen e masave mbrojtëse e rehabilituese në infrastrukturën dhe mjedisin e prekur nga situata e krijuar. Ngarkohen zëvendëskryeministri dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile, ministritë e linjës, prefekti i qarkut Shkodër, si dhe njësitë e qeverisjes vendore përkatëse për zbatimin e këtij vendimi.

Shkurt
Përmbytjet në Shkodër, tre herë brenda 1 viti

Qeveria shpalli për herë të dytë gjatë këtij viti gjendjen e fatkeqësisë natyrore për shkak të situatës kritike në zonëne Nën-Shkodrës. Kryeministri lajmëroi dje në mbledhje të qeverisë se qeveria po evakuon banorët e zonës së Nën-Shkodrës. "Në këtë mbledhje, ne do të vendosim për të shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore në qarkun e Shkodrës, pasi ecuria e prurjeve nga të gjitha anët e bën të domosdoshëm evakuimin e shpejtë të popullatës. Prej shumë ditësh, prurjet, të marra së bashku, në kaskadë arrijnë në 3000 m3/në sekondë. Ditët e fundit, prurjeve të paprecedent të lumenjve të Alpeve që kanë arritur në 1800-2000 e më shumë m3/në sekondë i janë shtuar edhe prurjet me mesatarisht 1300 m3/në sekondë të Drinit, çka bën të detyrueshëm shkarkimin më të madh nga portat e liqenit të Vaut të Dejës, në mënyrë që të mbahen jashtë rrezikut digat dhe i tërë sistemi",- tha Berisha. Niveli i ujit në liqenin e Fierzës po cek pikën kritike të lejuar. Në Vaun e Dejës që është pika fundore e kaskadës po shkarkohet përmes turbinave dhe portave mbi 2400 metër kub ujë në sekondë. Menaxhimi i kaskadës tashmë i ka kaluar Komitetit të Emergjencës, i cili paralajmëroi se situata mund të përkeqësohet edhe më gjatë ditëve në vijim. ”Situata po i tejkalon mundësitë e administrimit të saj dhe po ju bëjmë më dije se situata mund të vijë duke u përkeqësuar”,- tha zëvendësministri i Energjetikës, Sokol Dervishaj. Edhe këtë radhë ashtu si në fillim të vitit, autoritetet thonë se shkaku i rëndimit të situatës janë prurjet sipas tyre rekord. Dy vitet e fundit, përmbytjet në zonën e Nën-Shkodrës si pasojë e shkarkimeve nga hidrocentralet kanë qenë me intensitet të lartë, të pashënuar ndonjëherë më parë në 20 vitet e fundit.

2 Dhjetor 2010

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›