Shtohen rastet e dhunës në familje në mbrojtje 24 gra
ELBASAN - Në harkun e një viti, gjykata e Elbasanit ka dhënë urdhër mbrojtje për 24 gra që i dhunonin burrat, ndërkohë që ky fenomen mesjetar, ende është mbizotërues në zonat rurale të këtij rrethi. Sipas Arben Vrionit, kryetari i Gjykatës së Rrethit, "raste të dhunës së burrave mbi gratë janë shënuar dhe në ditët e para të vitit 2011". Sipas tij, vetëm në dy javët e para të janarit, gjykata ka lëshuar dy urdhra mbrojtjeje ndaj grave të dhunuara. "Këto raste janë të denoncuara nga vetë gratë dhe vajzat, por nëse do t'i referoheshim atyre reale, të pa denoncuara, padyshim që bilanci do të ishte më i lartë. Krahasuar me 5-10 vite më parë, premisat janë të mira, pasi rastet e denoncuara po rriten dita ditës, ç'ka tregon se femra po kërkon të drejtat e saj. Por ende ky fenomen mbetet shqetësuar në shoqërinë tonë", - shton ai. Nga statistikat e afruara në gjykatë mësohet se numrin më të lartë të grave të dhunuara e përbëjnë zonat e thella rurale, ku mentaliteti vazhdon të dënojë gjininë femërore, e cila pavarësisht kalimit të viteve, duhet t'i nënshtrohet bashkëshortit të saj, edhe kur bëhet fjalë për ushtrim dhune. Por edhe rastet e denoncuara nga zona urbane, janë ende në përmasa shqetësuese e kërkojnë vëmendjen e duhur.
(d.b/GSH/BalkanWeb)
(d.b/GSH/BalkanWeb)