E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Hakmarrja për Drejtësi": S'kemi lidhje me Priftin

TIRANE-Vëllezërit, Orik dhe Laert Shyti, themeluesit e së ashtuquajturës organizata "Hakmarrja për drejtësi" nëpërmjet një deklarate për shtyp kanë mohuar dje pretendimet e ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, sipas të cilit ai është kërcënuar me jetë prej tyre.
"Ajo që deklaron z. Prifti për 'Hakmarrjen' është vijim i një fushate që ka rifilluar para disa ditësh dhe përkon me datën 25 dhjetor 2010, kur ne i drejtuam një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për të gjykuar shkeljet ligjore dhe kushtetuese që janë bërë në një proces penal fund e krye të falsifikuar", thuhet në deklaratën e vëllezërve Shyti. Sipas tyre "bashkëpunëtorët e Sali Berishës, që paguhen të bëjnë tituj në gazeta dhe ata në polici, që paguhen për të ushtruar presione me natyrë 'profesionale', duke përhapur informacione të rreme, u rivunë në lëvizje, pikërisht në ditët e fundit të vitit që kaloi, për të përcjellë në opinion 'veprimtarinë kriminale' të 'Hakmarrjes për Drejtësi'. Nuk ka vend të përgënjeshtrojmë me fjalë të drejtpërdrejta gënjeshtrat që përhapin shpifësit e vegjël nën kujdesin e Shpifësit", përfundon deklarata e "Hakmarrjes për drejtësi".

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›