E Diel, 1 Nëntor 2026

Permbytjet, fëmijët të traumatizuar, kërkohen psikologë

SHKODëR - Fëmijët e akomoduar në konvikt së bashku me prindërit e tyre, edhe pse kanë një kujdes më të madh se të tjerët, vazhdojnë të jenë të traumatizuar. Specialistët thonë se në kampingjet e akomodimit të përkohshëm të të përmbyturve, fëmijët duhet të jenë nën përkujdesjen e përditshme të psikologëve. Artrida Ferketi, titullarja e Drejtorisë Arsimore, kishte takuar vetë fëmijët në këtë qendër dhe u ka kërkuar personalisht që të ketë një trajtim të veçantë për ta. Madje që të hënën, në këtë qendër do të vendoset një psikolog. Angjelin Voci, nëndrejtori i konviktit na tregon se fëmijët nuk kanë paraqitur problem. "Ne kemi folur gjatë me fëmijët, ata ndodhen mirë. Megjithatë, prania e psikologut do të jetë e domosdoshme. Të hënën psikologu do të vendoset këtu"- na thotë Voci. Mësojmë gjithashtu se fëmijët sot do të fillojnë rregullisht dhe shkollën. "Sipas urdhrit të ardhur nga Drejtoria Arsimore të gjithë fëmijët do të nisin shkollën të hënën. është bërë regjistrimi i të gjithë fëmijëve, janë përcaktuar klasat që ato ndjekin dhe është vendosur që fëmijët e akomoduar në konviktin tonë do të vazhdojnë mësimin në shkollën 9-vjeçare 'Pashko Vasa'. Të hënën në mëngjes do të vijë një mjet transporti për t'i dërguar në shkollë",- shton Voci. Na thonë se janë gjithsej 17 fëmijë që të hënën do të nisin shkollën. Një pjesë e fëmijëve, ndërsa kanë ikur nga shtëpitë kanë marrë librat dhe çantat me vete. Ndërsa të tjerëve, uji u rrëmbeu çantat e librave. Për të tjerët që nuk kanë libra, do të bëhet pajisje e tyre me libra, fletore çanta të tjera. Na thonë se një rregull i tillë është duke u zbatuar në gjitha konviktet ku janë vendosur familjet. (GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›