E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet në qeveri, Thaçi pret mbylljen e rivotimeve

PRISHTINE- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi dje se ndryshimet e shumëpërfolura në qeveri do të bëhen vetëm pas përmbylljes së plotë të procesit të zgjedhjeve komunale. Ndryshimet në Qeverinë e Kosovës mbeten çështje ekskluzive e krerëve më të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Zyrtarët e të dyja partive politike, thonë se janë të njoftuar me rënien dakord në parim të aleatëve të koalicionit, që të fillojë një proces ndryshimesh, i cilësuar si riformatizim i Qeverisë. Por, as në PDK dhe as në LDK nuk ka ende ndonjë ide se çfarë nënkuptojnë këto ndryshime dhe cilat do të jenë largimet, apo freskimet në kabinetin qeveritar. Këto dy parti politike, madje, nuk presin ndryshime fare në Qeveri pa u përmbyllur në tërësi procesi i zgjedhjeve komunale. Blerand Stavileci, zëdhënës i PDK-së, thotë se kjo parti politike është e njoftuar me nismën e Thaçit dhe partnerëve të koalicionit për ndryshime, por nuk dihen emrat konkretë të ministrave në largim dhe të atyre që eventualisht do të vijnë në Qeveri. Sidoqoftë, Stavileci thekson se Thaçi do ta ketë përkrahjen e PDK-së në vendimet e tij për ndryshime, nëse vlerësohet se ato janë në interes të një qeverisjeje më të mirë. (s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›