Zgjedhjet në Kroaci, Exit pollet nxjerrin fitues Josipovic
ZAGREB- Social-demokrati, Ivo Josipovic rezulton fitues në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që u zhvilluan sot në Kroaci. Exit pollet e transmetuara në televizionet vendase RTL Croatie dhe Nova TV nxjerrin fitues Josipovic duke lënë pas kryetarin e Bashkisë së Zagrebit, Milan Bandic. Sipas sondazheve Jospovic ka mundur të sigurojë 64,6 % të votave ndërkohë që kundërshtari i tij vetëm 35,4 %. Por këto sondazhe nuk përfshijnë zgjedhësit nga dispora që përbëjnë 400.000 nga 4,4 milionë votues. Rezultatet e para zyrtare pritet të dalin gjatë mesnatës. Ivo Josipoviç, 51 vjeç, është një personalitet me biografi të pasur, i njohur si kompozitor i muzikës klasike dhe jurist. Ai do të zëvendësojë presidentin e deritanishëm Stipe Mesiç, i cili ka kaluar dy mandate si president i vendit. (e.n/BalkanWeb)