E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, merret në pyetje kreu i KESH-it Muharrem Stojku

27/01/2010  Prokuroria Shkodër i ka kërkuar të dokumentuar të gjithë urdhrat e dhënë
SHKODER- Drejtori i KESH-it, Muharrem Stojku, është marrë dje në pyetje nga Prokuroria e rrethit gjyqësor Shkodër në lidhje me përmbytjet që ndodhën në Shkodër në fillim të këtij viti. Seanca e pyetjeve të Prokurorisë ka zgjatur rreth dy orë e gjysmë, në masa të larta sigurie, si dhe në një heshtje të plotë informative pas përfundimit të saj.
Hetimi
Megjithatë, burimet pranë Prokurorisë bëjnë të ditur se drejtori Stojku është pyetur rreth zbatimit të rregullave të përcaktuara që duhen ndjekur për hapjen e portave dhe shkarkimin e ujit nga hidrocentralet në kaskadën e lumit Drin gjatë periudhës së përmbytjeve në zonën e Shkodrës. Njëkohësisht burimet shprehen se Prokuroria ka kërkuar nga drejtori Stojku të paraqiten të dokumentuara urdhrat dhe veprimet e kryera në hidrocentrale që në fillim të situatës që solli dhe përmbytjen e mjaft fshatrave të Nënshkodrës, si dhe të një pjese të hyrjes së qytetit. Të njëjtat burime sqarojnë se drejtori i KESH-it, Muharrem Stojku, ka rrëfyer rreth situatës së krijuar nga sasitë e mëdha të reshjeve dhe prurjeve në lumin Drin, si dhe urdhrat e nxjerra nga drejtuesit për të menaxhuar me sa më pak dëme situatën si në hidrocentrale, ashtu dhe në zonën e Shkodrës. Njëkohësisht Stojku ka dhënë sqarime dhe për shkarkimet e bëra nga tre hidrocentralet mbi lumin Drin. Nga ana e saj, Prokuroria ka bërë krahasime të fjalëve të Stojkut me dokumentet e dispeçerive qendrore dhe hidrocentraleve që ajo disponon. Sipas burimeve, Prokuroria e Shkodrës ka bllokuar dokumentacionin e muajve nëntor-dhjetor për të verifikuar ndjekjen e procedurave si dhe për t’i krahasuar ato me urdhëresat që parashikon rregullorja e miratuar. Ndërkohë burimet pranë Prokurorisë bëjnë të ditur se në ditët në vijim do të merren në dorëzim dhe raportet e institucioneve dhe strukturave që kanë si detyrë kontrollin dhe menaxhimin e argjinaturave mbrojtëse nga lumenjtë Drin dhe Bunë. Lidhur me të gjithë vijueshmërinë e hetimeve rreth shkaqeve të krijimit të kësaj situate dhe menaxhimit të hidrocentraleve mbi lumin Drin, pritet të dalë së shpejti dhe një informacion i plotë nga Prokuroria e rrethit gjyqësor Shkodër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›